Meha merr pjesë në konferencën me temë Toka dhe varfëria

Washington, 12 prill - Trajtimi i administrimit të tokës po merr një qasje tepër të rëndësishme dhe profesionale në nivel global, sepse ky administrim, respektivisht kompontetat ligjore dhe teknike të këtij administrimi, kanë ndikim në ngritjen e sigurisë dhe mirëqenies sociale të shteteve, si dhe në ngritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Për këtë qëllim, me ftesë të Bankës Botërore, prej datës 8 deri 11 prill, Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës Prof. Dr. Murat Meha ka qëndruar në vizitë pune në Uashington DC të SHBA-ve, ku ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Banka Botërore me temë Toka dhe varfëria.
Në këtë Konferencë morën pjesë mbi 900 pjesëmarrës nga mbi 100 shtete ty ndryshme të botës të cilët bënë një analizë të veçantë të administrimin të tokës dhe mbi ndikimin e këtij administrimi në uljen e varfërisë në botë.
Po ashtu një nga segmentet e rëndësishme që u diskutuan në këtë konference ishte edhe ndikimi i teknologjisë matëse gjeodezike në administrimin dhe menaxhimin e tokës si dhe lidhja e administrimit të tokës me investimet, ngritjen e cilësisë së bashkëpunimit ndërkufitar, etj, pika këto që drejtë për së drejti lidhen me uljen e varfërisë dhe krijimin e kushteve të mira për jetë.
Kryeshefi i AKK-së në këtë konference kontribuoi me punimin e tij profesional Efektet e Ligjit për Kadastër dhe Sistemit të Adresave në qeverisjen e qëndrueshme të tokës në Republikën e Kosovës.
Prezantimi i punimit të Kryeshefit të AKK-së zgjoi interesimin e të pranishmëve ndërsa pati edhe diskutime të shumta nga pjesëmarrësit e shteteve të ndryshme.
Përndryshe në këtë konference nga vendet e rajonit vetëm Kroacia dhe Republika e Kosovës u paraqitën me punime dhe prezantime profesionale.