Meha: Korrupsioni sluftohet me njerëz të korruptuar
Prishtinë, 21 prill - Eksperti i çështjeve ekonomike, Xhevat Meha, ka thënë se nuk mund të luftohet korrupsioni me njerëz të korruptuar.
Populli thotë Hajni hajnin nuk e ndjek. Derisa nuk bëhet fronti hajnat në njërën anën dhe johajnat në anën tjetër përballë tyre nuk mund të ketë ndryshim të gjendjes. Ne prej përfundimit të luftës kemi filluar zhvillimin e ekonomisë së tregut, mirëpo zhvillimi ekonomik është i lidhur drejtpërsëdrejti me nivelin e korrupsionit. Zhvillimi në ekonominë e tregut bëhet në bazë të ligjeve dhe ligjshmërive të tregut, siç janë oferta dhe kërkesa, efikasiteti, racionaliteti etj., ka thënë Meha.
Sipas tij, për aq shkallë sa ka korrupsion ligjet e tregut janë të përjashtuara. Nëse korrupsioni është 5 për qind, efektet e ligjeve të tregut janë 95 për qind e, po ashtu, nëse korrupsioni është 40 për qind, efektet e ligjeve të tregut janë 60 për qind. Nëse korrupsioni është 90 për qind, efektet e ligjeve të tregut janë 10 për qind, ka deklaruar Meha për gazetën Epoka e re.
Meha ka deklaruar se raportet që janë duke u publikuar që shumë vite korrupsionin e paraqesin në shkallë shumë të lartë. Sipas tij, kjo shkallë duhet të jetë mbi 70 për qind. I pyetur sa është bërë për luftimin e korrupsionit, Meha është përgjigjur se nuk di ndonjë shembull për luftimin e kësaj dukurie.
Po të ishte bërë diçka do ti kishim parë efektet. Kjo gjendje nuk është vetëm sivjet, por tashmë janë shtatë vjet që kur vijnë raportet afërsisht të njëjta, sipas të cilave një segment përparon e në anën tjetër tre të tjerë bien. Thjesht, nuk është duke u bërë asgjë, ka theksuar Meha.