MEF: Nuk ka ngritje te pagave
Prishtinë, 1 shkurt - Me gjithë premtimet e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaqi se do te këtë rritje te pagave, sot Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF) ka bërë të ditur se nuk do të ketë rritje të rrogave ashti siç ishte premtuar nga qeveria në largim e Kosovës.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, ka thënë se arsyeja e mosimplementimit të vendimit të qeverisë është për shkak të zgjedhjeve të stërzgjatura.
Ndërkaq përmes një njoftimi për media Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se vendimi i Qeverisë Nr. 02/151 i datës 06 Janar 2011 për rritjen e pagave në sektorë të caktuar që paguhen nga Buxheti i Republikës së Kosovës mbetet në fuqi dhe se i njëjti do të zbatohet në mënyrë retroaktive, pas aprovimit të Buxhetit të Vitit 2011 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
"Shuma e paguar në llogarit individuale është paradhënie për të gjithë punëtorët që ndikohen nga vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe diferenca do të plotësohet pas aprovimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2011", thuhet në njoftimin e qeverisë.
Vonesa në zbatimin e këtij vendimi sipas njoftimit vjen si pasojë e zgjatjes së paparashikuar të procesit zgjedhor dhe vonesës së konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
"Përkundër kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës i siguron të gjithë punëtorët e sektorëve përkatës që kanë përfituar nga rritja e pagave se vendimi për rritje do të realizohet me prioritet dhe në mënyrë retroaktive nga data 1 Janar 2011."
Qeveria e Republikës së Kosovës thotë së është e bindur se respektimi i të gjitha procedurave ligjore për zbatimin e këtij vendimi shtetëror është mënyra më e mirë për të siguruar një rritje të qëndrueshme të pagave dhe të mirëqenies qytetare.