Medvedev paralajmëron për krizën ekonomike botërore
Moskë, 29 dhjetor - Presidenti i Rusisë ka paralajmëruar për krizën ekonomike botërore e cila mund të dëmtojë rëndë edhe ekonominë ruse.
Dimitri Medvedev tha se funksionarët rus në çdo vendim të tyre duhet të kenë parasysh krizën ekonomike botërore, pasojat e së cilës mund të kenë efekte negative në ekonominë e vendit.
\"Ky është një realitet i hidhur të cilin duhet ta marrim seriozisht të gjithë\", shtoi Medvedev.
Kurse në anën tjetër Britania është duke punuar që të mos gjendet e pa përgatitur në rast të një kolapsi eventual të euros, çka mund të çojë në një dyndje masive vlerash monetare dhe njerëzish drejt ishullit, që nuk është pjesë e eurozonës.
Ministria e Financave ka hartuar plane kontigjent për pengimin e investitorëve për transferimin e shumave të mëdha të parave në kesh nga eurozona drejt Britanisë, pasi një gjë e tillë do të cojë në rritjen e vlerës së Stërlinës.
Mësohet se Britania mund të mbyllë përkohësisht edhe kufijtë saj ndaj refugjatëve ekonomikë nga Evropa, nëse kolapsi i euros do të cojë në trazira sociale në kontinent.