Medresantet shpërndanë dhurata për jetimët nga Prizreni
Shkruan: Flora Hajdarmataj
Prevallë, 3 maj - Të shtunën në restorantin “Kulla e Jetimit” në Prevallë, nxënëset e vitit të dytë, të medresesë “Alaud-din” të Prishtinës kanë shpërndarë dhurata për 30 jetimë nga Prizreni, për të cilët kujdeset shoqata “Kalliri i Mirësisë” në Prizren.
Medresantet të cilat ishin të shoqëruar nga drejtori i shkollës Bahri Simnica, si dhe nga kujdestarja e klasës, Hatixhe Jashanica, erdhën me një autobus në Prevallë dhe bënë ndarjen e dhuratave këtyre jetimëve.
Për argëtimin e jetimeve, nxënëset kishin përgatitur një program artistik me ilahi. Më pas fjala ka qenë e fëmijëve, të cilët janë argëtuar dhe gjithashtu kanë kënduar dhe recituar për të pranishmit. Ky aktivitet ka përfunduar me shpërndarjen e dhuratave .
Kujdestarja e klasës përshëndeti këto nisma duke shtuar se të gjithë duhet të kontribuojnë për iniciativa të tilla që vënë në fokus fëmijët jetimë dhe shprehet e lumtur që klasa e saj ka marrë një iniciativë të tillë duke pas parasysh moshën e tyre të re.
“Unë si kujdestare e klasës, idenë e tyre për t’ju ndihmuar jetimëve e vlerësoi shumë, duke pasë parasysh moshën e tyre të re. Në momentin që më kanë propozuar për këtë gjë, unë i kam përkrahur dhe gjithmonë do ti përkrah për veprime të tilla, duke pas parasysh fjalën e Pejgamberit që thotë:
“Kush ja ledhaton kokën e një jetimi për dashurinë e Zotit do të marrë shpërblim për çdo qime floku që e përshkon dora e tij, si dhe do të qëndrojë afër me mua në xhenet” u shpreh profesoresha Hatixhe .
Ndërsa nxënëset u shprehen të lumtura që ja arritën të realizonin ëndërren e tyre për t’i bërë këta fëmijë të lumtur.
“Ishte një kënaqësi e papërshkrueshme për të gjitha, mundi ynë u shpërblye duke i parë fytyrat e këtyre jetimëve të lumtura e të gëzuara. Me realizimin e kësaj iniciative, ne do të bashkëpunojmë me njëra tjetrën për idealet tona. Shpresojmë që ky të jetë vetëm fillimi dhe me ndihmën e Allahut nuk do të ndalemi në këtë aspekt” u shprehën nxënëset.