08 Nëntor 2024

Me ndihmën e RrGG-së, është formuluar buxhetimi gjinor

Prishtinë, 8 nëntor - Sot në Prishtinë u bë lansimi i Raportit për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, projekt i cili është implementuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe mbështetur nga Projekti i USAID-it “Partneritet për Zhvillim.”

Me këtë rast, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mirëpriti rezultatet e dala nga ky raport dhe theksoi se MTI ka punuar në implementimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) në përputhje me obligimet ligjore të përcaktuara me Ligjin për Barazi Gjinore dhe kërkesat e bëra nga Ministria e Financave në qarkoret buxhetore të këtij viti dhe më herët.

Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor është një strategji përmes së cilës perspektiva gjinore aplikohet në gjithë ciklin e planifikimit, zbatimit, monitorimit dhe vlerësimit të buxheteve qeveritare dhe politikave ekonomike, tha ministrja. Ajo shtoi se BPGj-ja përbën një detyrim ligjor për të gjitha institucionet publike në Republikën e Kosovës, sepse mund të lehtësojë më mirë planifikimin e bazuar në performancë me qëllim që të përmbushen të gjitha nevojat e kosovarëve.

“Fushëveprimtaria e MTI-së është mjaft e gjerë, dhe politikat e udhëhequra nga kjo ministri ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimet tregtare dhe industriale dhe përgjithësisht në ambientin e të bërit biznes në vend” tha ministrja, dhe vazhdoi se “është shumë me rëndësi që nga kjo politikë-bërje të dalin përfituese të gjitha kategoritë shoqërore përfshirë edhe elementin gjinor, duke përfituar nga lehtësitë dhe qasja e barabartë në të gjitha proceset që nga themelimi i biznesit, punësimi dhe promovimi në punë në kuadër të institucionit e deri te përfitimet tjera që rrjedhin si rezultat i politikave tregtare dhe industriale, krijimi i legjislacionit, zonave ekonomike dhe parqeve industriale, etj.  

Ministrja Bajrami theksoi se MTI e mbështet pa rezervë implementimin e mëtejmë të kësaj praktike të mirë të buxhetimit të përgjegjshëm i cili nuk njeh diskriminim në aspektin gjinor dhe ftoi edhe institucionet tjera që ta ndjekin këtë model në mënyrë që buxhetimi të jetë i balancuar dhe reprezentativ për të dyja gjinitë në mënyrë të barabartë.

“Është kënaqësi e veçantë të jem pjesë e përmbylljes së një aktiviteti që simbolizon fillimin e një rruge të gjatë në ngritjen e cilësisë së qeverisjes përmes politik bërjes gjithëpërfshirëse. Në marsin e këtij viti, gjatë hapjes së këtij aktiviteti, unë ofrova një elaborat të gjerë mbi humbjet ekonomike të shkaktuara nga pabarazia gjinore dhe përfitimet nga adresimi i këtyre pabarazive përmes politikave publike - të cilat jetësohen përmes procesit buxhetor “, tha zëvendësministri i MF Agim Krasniqi.

Ai bëri të ditur se “Tashmë jemi unik në pranimin e nevojës për politikbërje dhe rrjedhimisht për buxhetim më të përgjegjshëm gjinor, gjithmonë duke respektuar ligjet në fuqi të cilat i garantojnë të drejtat e njeriut dhe në veçanti barazinë gjinore”.

Sipas zëvendësministrit Agim Krasniqi, Ministria e Financave me ndihmën e Rrjetit të Grave të Kosovës, në Qarkoren e parë Buxhetore për formulimin e buxhetit të vitit 2017,  ka formuluar kërkesa të qarta për buxhetim të përgjegjshëm gjinor që janë në pajtim me detyrimet e dala nga Ligji për Barazi Gjinore.

Sipas formatit të tanishëm të procesit buxhetor, kërkesat e paraqitura me qarkore janë të përqendruara në informata rreth shpërndarjes gjinore të inputeve buxhetore, pagave dhe punësimit, mallrave dhe shërbimeve, si dhe kategorive tjera ekonomike të shpenzimit.

“Si pjesë e aktivitetit mbështetës të USAID përmes programit të Partneritetit për Zhvillim, me implementim të grantit nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ne tashmë kemi dy shembuj konkret se si duhet ndërmarrë në praktikë ky hap i parë, duke ndërtuar një sistem informatash i cili mundëson identifikimin e pabarazive gjinore deri në nivelin më të detajuar funksional, atë të nën-programit buxhetor”, ka shtuar Zëvendësministri Krasniqi.

Ai gjithashtu bëri të ditur se “Nga viti i kaluar Ministria e Financave është duke ndërmarrë një reformë të gjerë të Menaxhimit të Financave Publike. Pjesë përbërëse e kësaj reforme, është edhe evoluimi i procesit të planifikimit buxhetor nga një proces i planifikimit të inputeve buxhetore në një proces të targetimit të performancës së programeve buxhetore, sipas dokumenteve strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)