23 Dhjetor 2024

Me mbështetjen e BB-së Kosova do ta përmirësojë sistemin e ndihmës sociale

Washington, 30 shtator - Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka aprovuar sot Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale për Kosovën, i cili synon ta përmirësojë paanshmërinë dhe përshtatshmërinë e programeve të ndihmës dhe mbrojtjes sociale të vendit.

Mbështetja financiare e miratuar për këtë projekt është 47 milionë euro (të barasvlershme me 55.9 milionë dollarë), kredi koncesionare nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA), që është pjesë e Bankës Botërore që u ndihmon vendeve më të varfra në botë duke u dhënë hua para me kamatë shumë të ulët dhe periudha të gjata të shlyerjes.

Periudha e shlyerjes së kredisë për këtë projekt është 30 vjet, duke përfshirë një grejs-periudhë pesëvjeçare.

"Kosova e ndan një pjesë të rëndësishme të buxhetit të saj për programet e mbrojtjes sociale, por efikasiteti dhe ndikimet rishpërndarëse të këtyre programeve mund të përmirësohen, veçanërisht në kontekstin e COVID-19”,tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

"Banka Botërore i mbështet përpjekjet e Kosovës për ta reformuar Skemën e Ndihmës Sociale, në mënyrë që ajo të jetë më e paanshme, më efikase dhe më fleksibile, dhe kështu më e pajisur për të reaguar ndaj krizave në të ardhmen", shtoi ai.

Konkretisht, ky projekt do ta mbështesë qeverinë në (a) reformimin e dizajnit të Skemës së Ndihmës Sociale (SNS-së), (b) investimin në sistemet e ofrimit të SNS-së dhe (c) rritjen e vlerës së benificioneve nga SNS-ja, për t’i zbutur efektet ekonomike të pandemisë COVID-19.

Një aspekt i rëndësishëm i reformës së SNS-së është përzgjedhja e përfituesve duke u bazuar në statusin e varfërisë (në vend të kategorive), ofrimi i benificioneve më adekuate, duke përfshirë një rritje të benificionit për kokë banori që e marrin familjet më të mëdha, dhe të siguruarit që përfituesit që janë të aftë për të punuar të përfitojnë nga masat e aktivizimit.

Pas aprovimit nga Bordi i Drejtorëve, midis Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore do të nënshkruhet një marrëveshje për financim të projektit. Ratifikimi i marrëveshjes për këtë projekt nga Parlamenti i Kosovës, me të paktën dy të tretat e të gjitha votave, do të nevojitet që fondet e projektit të vihen në dispozicion për disbursim në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Këtë projekt do të zbatojë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për një periudhë pesëvjeçare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)