Me masat e reja kundër COVID-19 ekonomia do të dëmtohet edhe më shumë
Prishtinë, 6 korrik - Pas marrjes seë masave të reja parandaluese të koronavirusit nga Qeveria e Kosovës, kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Berat Rukiqi tha se ekonomia e vendit do të dëmtohet edhe më shumë.
Në një konferencë për media, Rukiqi, si përfaqësues i bizneseve tha se në vend se të mbyllet një sektor në plotni, është dashur që të mbyllen vetëm ato që nuk respektojnë rregullat apo masat e kërkuara nga autoritetet shtetërore të shëndetësisë.
Ai theksoi se bizneset po përballen me vështirësi, të cilat zor se mund t’i përballojnë deri në fillim të muajit gusht.
“Nëse nuk ka veprime të shpejta që nënkuptohet në rastin e asaj çfarë ka të bëjë me ekonominë e dy javëve në vijim, atëherë ne rrezikojmë të mbyllim mijëra biznese dhe të humbim mijëra vende pune. Janë rritur obligimet e biznesit, mungon qasja në financa, mungon likuiditeti dhe asnjë biznes nuk ka kapacitet ta përballojë këtë për një kohë më të gjatë se sa, të jemi të sinqertë, fundi i këtij muaji”, tha Rukiqi.
Kreu i OEK-ut tha se Qeveria duhet të merr masa lidhur me lehtësimin financiar të bizneseve të cilat me vendimin e ri u kufizohet puna.
“Kur jemi tek masat e fundit pasi sektori i gastronomisë dhe sektori i transportit janë të prekur direkt nga vendimet e fundit, ne konsiderojmë se duhet urgjentisht një konsultë me akterët e këtyre sektorëve, me shoqatat që i përfaqësojnë këta sektorë për të marrë vendime specifike shtesë për këta sektorë. Që nënkupton automatikisht riprogramim të kësteve të kredisë, lehtësira tjera për qasje në financa, përkrahje për paga dhe qira për së paku edhe tre muaj të tjerë dhe shtyrje të deklarimeve dhe pagesave të tatimeve së paku për tre muaj”, tha Rukiqi.
Ai u ka bërë thirrje bizneseve që të kenë kujdes, duke theksuar se respektimi i masave të distancës sociale, mbajtja e maskave nga punonjësit, dezinfektimet e rregullta të hapësirave, higjiena e punonjësve janë esenciale për mos-rritjen e numrit të rasteve rrjedhimisht për mos-mbylljen e bizneseve.
Qeveria e Kosovës pas mbledhjes së saj elektronike më 5 korrik mori vendim që gastronomisë i ndalohet funksionimi nga ora 21 e mbrëmjes deri në ora 5 në mëngjes në tërë territorin e vendit, ndërsa jashtë këtij orari mund të punohet vetëm në hapësira të hapura, me distancë 1.5 metra mes tavolinave, dhe me shërbime “merre me vete”.
Po kështu, vendimi obligon që edhe ofruesit e transportit publik të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.