Me ligjin e ri do të ketë rritje pagash për Policinë dhe punëtorët shëndetësorë
Prishtinë, 26 qershor - Që në nisje të mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka informuar Kabinetin Qeveritar për punën intensive në finalizimin e Ligjit për pagat, ligj ky që është në fazën e tij finale të përpilimit dhe javën e ardhshme do të jetë pikë diskutimi në Qeveri.
Po ashtu, Kryeministri Haradinaj ka theksuar qëndrimin e tij se në ligjin e ri do të ketë rritje pagash për Policinë e Kosovës, punëtorët shëndetësorë dhe kategori të tjera të rëndësishme.
Po ashtu, sot me propozimin e Grupit Punues për themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane, Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e kësaj zone kadastrale të Komunës së Gjakovës.
Me vendimin e miratuar sot, janë shpronësuar për interes publik pronat e paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i lokacionit të varrezave në Neqavc të Komunës së Hanit të Elezit.
Kabineti qeveritar ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes bilaterale për transportin rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
Ministria e Infrastrukturës në Qeverinë e Republikës së Kosovës do të zhvillojë negociatat me palën malazeze për finalizimin e kësaj marrëveshje të dobishme për të dyja vendet.
Me miratim të një vendimi të veçantë, Qeveria ka ndarë mjetet për mbulimin e shpenzimeve për trajtimin shëndetësor jashtë vendit të ish-kryeministrit të Qeverisë së Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi.