08 Nëntor 2024

Më 31 janar mbahet e forumi ekonomik mes Kosovës dhe Italisë

Prishtinë, 18 janar - Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka njoftuar kabinetin për mbajtjen e Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik në mes të Kosovës dhe Italisë, më 31 janar, që është edhe njëra nga sugjerimet e Kryeministrit dhe konkluzionet e dala nga Konferenca e Ambasadorëve.

“Diplomacinë ekonomike do ta kemi prioritet në vitin 2017, sikurse që kemi vendosur që politika e jashtme ta ketë një qasje ndërsektoriale dhe të kemi koordinim sa më të mirë mes sektorëve të ndryshëm\", ka theksuar Hoxha.

Në këtë drejtim sipas tij ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë mes Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Tregtisë.

\"Pjesëmarrja e bizneseve italiane do të jetë shumë e madhe, por i kisha ftuar kolegët nga Qeveria që të bëhen gati dhe në të njëjtën kohë dikush nga kolegët përgjegjës, qoftë zëvendëskryeministri Kelmendi, qoftë ministrja Bajrami, do të duhej të komunikon me biznesin e Kosovës, që të kemi prani sa më të madhe të biznesit kosovar.\"

\"Në analizën tonë, investimet mund të ndodhin kur ka bashkëpunim mes biznesit me biznes, jo vetëm Qeverisë në raport me Qeverinë e një vendi gjegjës. Dua poashtu t’ju informoj se në disa misione diplomatike ku kemi pasur njerëz të përgatitur, kemi vendosur që të emërojmë atashe të ekonomisë, aty ku ka pasur ekonomistë të mirëfilltë, por dua po ashtu t’i ftoj kolegët, që ne jemi të gatshëm të marrim nga ministritë gjegjëse personat që do të duhej të jenë atashe ekonomikë dhe duhet të veprojnë si ndërlidhës mes një misioni me ministritë gjegjëse.\"

\"Në të kaluarën kemi pasur në Bruksel përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, nga Ministria e Tregtisë dhe jemi të gatshëm që edhe në këtë vit nëse ka sugjerime të tilla, sidomos sa i përket Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që kjo ka të bëj më shumë me tregti dhe me bujqësi, që të dërgojmë persona përgjegjës, të cilët do të duhet ta mbulojnë këtë fushë. Forumi Ekonomik që mbahet në Itali është forumi i parë. Unë besoj që në shkurt apo në mars do ta kemi një forum të dytë në Emirate, i cili forum nuk do të jetë vetëm forum që do t’i mbledhë bizneset e Emirateve, por të gjitha vendet e Gjirit, do të thotë edhe Katarin edhe  Kuvajtin, Bahrenin, Arabinë Saudite.\"

\"Po ashtu, kjo gjë është diskutuar vitin e kaluar. Në këtë drejtim desha ta jap një informatë të parë, pastaj gjatë vitit do të jetë punë rutinore e jona si Ministri e Jashtme në koordinim të ngushtë me ministritë e tjera që në vitin 2017 fokusin ta mbajmë tek investimet e huaja, sidomos për shkak të ndryshimit të kontekstit ndërkombëtar ku nuk mund të presim zhvillime të mëdha rreth Kosovës dhe ku një pjesë e madhe e politikës së jashtme duhet të jetë e drejtuar që të përmbushim kërkesat tona të brendshme dhe mënyra më e mirë për të demonstruar që t’i bëjmë këto, është pikërisht diplomacia ekonomike, që ka qenë sugjerim juaji z. Kryeministër, por edhe është në Planin e Qeverisë për vitin 2017”, tha ministri Hoxhaj.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se MTI-ja, respektivisht KIESA është marrë komplet me aktivitetet rreth organizimit. 

“Deri tani kemi një numër shumë të madh të kompanive, të cilat e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Jemi duke biseduar me të gjitha asociacionet e biznesit në Kosovë. Pjesëmarrja e kompanive kosovare në këtë forum të biznesit është pak e kufizuar në aspektin financiar, sepse ne si Ministri dhe si Qeveri nuk kemi resurse të mjaftueshme që të paguajmë shpenzimet e tyre, do të thotë janë pikërisht bizneset private ato të cilat duhet të bartin koston e pjesëmarrjes së bizneseve.\"

\"Kështu që numri më i madh do të jetë pikërisht nga kompanitë italiane dhe kompanitë e diasporës, por është një numër i konsiderueshëm edhe i kompanive tona. Ende nuk e kemi listën finale, por jemi në bashkëpunim të drejtpërdrejt edhe me Ambasadën tonë në Romë dhe gjithçka po shkon në rregull”, tha ministrja Bajrami.

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, theksoi se Italia është një shtet që ka jashtëzakonisht shumë prodhimtari të makinerive të ndryshme që mund të jenë të domosdoshme për avancimin e prodhimtarisë sonë.

“Ka disa kompani garantuese të eksportit, që e garantojnë bashkëpunimin në mes të dy bizneseve Kosovë-Itali, pa ndërmjetësimin e bankave komerciale tona, me kushte shumë më të favorshme sesa Kosova dhe është mirë që ndoshta për të shtuar numrin e njerëzve sepse ka agjenci të mëdha dhe agjentë të shitjeve të pajisjeve të ndryshme të Italisë që shkojnë nëpër krejt regjionin dhe informojnë kush ka interes për blerje të industrive të caktuara.\"

\"Është mirë ndoshta me i kyç edhe këto agjenci, me i ftuar nga ana e Italisë edhe këto institucione që e mbështesin garantimin e eksportit të makinerive nga Italia në Kosovë, por edhe për t’i ftuar të gjitha bizneset që kanë interes për prodhimtari e që mund të shtohet bashkëpunimi me Italinë”, tha zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi.

Kryeministri Isa Mustafa kërkoi nga zëvendëskryeministri Kelmendi, ministri Hoxhaj dhe ministrja Bajrami që gjatë javës të koordinohen, sepse siç tha ai, kjo është një fushë, e cila është edhe ekonomike dhe diplomatike.

“Pastaj ne mund të kemi javën e ardhshme në mbledhjen e parë të Qeverisë edhe një informatë lidhur me të gjitha përgatitjet përfundimtare, sepse jemi të interesuar që me Italinë të intensifikojmë bashkëpunimin, t’i përgatisim edhe forumet tjera ekonomike, për të cilat ministri Hoxhaj foli, mirëpo është një çështje që del pak jashtë një Ministrie, por që kërkon bashkëveprim të më shumë ministrive. Prandaj, lus edhe zëvendëskryeministrin Kelmendi që të kyçet prej sot me ju bashkë dhe pastaj të keni përgatitjet e duhura”, theksoi kryeministri Mustafa.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)