Me 20 milionë euro buxhet luftojnë ekonominë joformale

Prishtinë, 7 maj - Qeveria e Kosovës ka planifikuar ti shpenzojë rreth 60 milionë euro gjatë tri viteve të ardhshme për zvogëlimin e ekonomisë joformale dhe realizimin e të hyrave të qëndrueshme buxhetore, pasi që informaliteti ekonomik vlerësohet se i kushton buxhetit të vendit humbje qindramilionëshe në vit.
Sipas dokumentit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) 2014-2016, të miratuar javën e kaluar në Qeverinë e Kosovës, Ministria e Financave planifikon ti ndajë nga 19.5 milionë euro në vit për zvogëlimin e ekonomisë joformale me anë të ngritjes së strukturave organizative, rishikimit të legjislacionit, koordinimit të aktiviteteve, rritjes së bashkëpunimit në mes të autoriteteve përgjegjëse, ngritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore, zhvillimit të sektorit të ndërmarrjeve, vetëdijesimit kundër ekonomisë joformale, ngritjes së sistemeve të IT-së dhe rritjes së efikasitetit të grumbullimit të tatimeve.
Po ashtu parashihet të bëhet ndërtimi dhe zhvillimi i sistemeve me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe efiçiencës në grumbullimin e të hyrave nga ATK-ja dhe Dogana, përfundimi i shqyrtimit të të gjitha ankesave të grumbulluara deri në transformim të Bordit të Pavarur për Rishikimin e Ankesave.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në vend thonë se buxheti i Kosovës humb qindra miliona euro në vit nga ekonomia joformale.
Kosova nga informaliteti humb mbi 35 për qind të të hyrave buxhetore, thotë Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB).
Sipas tij, shumë struktura biznesore, politike dhe jopolitike e zhvillojnë dhe e mbrojnë ekonominë joformale në Kosovë.
Shumë biznese janë fuqizuar gjatë 13 viteve në Kosovë nga informaliteti. Ekonomia joformale përpos që i shkakton humbje buxhetit të Kosovës, krijon pabarazi në treg mes bizneseve, shprehet Shahini, duke shtuar se një ekonomi e tillë është shndërruar në një forcë konkurruese, duke i goditur rëndë bizneset e rregullta.
Kreu i AKB-së pohon se Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka marrë masa konkrete për luftimin e ekonomisë joformale, e cila, siç thotë ai, lulëzon në veri të Kosovës.
Fuqizimi i bizneseve nga ekonomia joformale
Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, thotë për Zërin se në veri të vendit zhvillohet krim i organizuar, pasi që shumë biznese që i shmangen taksave i kanë selitë atje dhe siç thotë ai, Qeveria e Kosovës po ti ndajë edhe 200 milionë euro buxhet nuk mund ti luftojë ato.
Sipas tij, jo vetëm në atë pjesë të vendit, por shumë biznese që operojnë në brendi të Kosovës dhe që janë të lidhura me politikën as nuk vizitohen nga inspektorët tatimorë, prandaj bizneset janë fuqizuar maksimalisht nga veprimtaria ilegale që e zhvillojnë.
Disa bizneseve të lidhura me politikën, inspektorët nuk guxojnë as te dera tu shkojnë, pasi që ato janë të mbrojtura, ka thënë ai.Shatri ka sqaruar se rreth 30 për qind e GDP-së së vendit është produkt i ekonomisë joformale.
Nuk besoj se informaliteti mund të luftohet me 20 milionë euro. Për të ndodhur një gjë e tillë duhet të ekzistojë një vullnet politik e jo vetëm me disa strategji që nuk jetësohen edhe në praktikë, ka nënvizuar Shatri.
/Zëri/