23 Dhjetor 2024

McDonald's tërhiqet nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë

Washington, 9 mars - Kompania amerikane e ushqimit të shpejtë ‘McDonald’s’ ka bërë të ditur se po tërhiqet nga tregu rus dhe “përkohësisht” do të mbyllë të gjitha restorantet.

Ndalimi i operacioneve të kompanisë amerikane vjen në mes të luftës së vazhdueshme kundër Ukrainës, për të cilën shefi ekzekutiv, Chris Kempczinski, në një postë elektronike drejtuar punonjësve tha se “ka shkaktuar vuajtje të papërshkrueshme për njerëzit e pafajshëm”.

“Vlerat tona nënkuptojnë se ne nuk mund të injorojmë vuajtjet e panevojshme njerëzore që zhvillohen në Ukrainë. Prioriteti ynë numër një që nga fillimi i kësaj krize ka qenë dhe do të mbeten njerëzit tanë”, u shpreh Kempczinski.

Kempczinski njoftoi se McDonald’s punëson 62 mijë njerëz në Rusi dhe punon me “qindra”furnizues vendas, si dhe shtoi se punonjësit do të vazhdojnë të paguhen gjatë mbylljes.

Ai shtoi se organizata jofitimprurëse ‘Ronald McDonald House Charities’ do të vazhdojë aktivitetet e saj në Rusi pasi homologu i saj ukrainas punon me “spitalet lokale dhe ofron ndihmë humanitare në të gjithë vendin”.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka shkaktuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një eksod të kompanive globale nga Rusia.

Perëndimi po ashtu ka vendosur kufizime të ashpra të eksportit për teknologjitë kryesore që tani janë të ndaluara të dërgohen në Rusi.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), që nga fillimi i luftës në Ukrainë të paktën 406 civilë janë vrarë dhe rreth 800 të tjerë janë plagosur, por theksohet se kushtet në terren e bëjnë të vështirë verifikimin e numrit të vërtetë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se rreth 2 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)