Mbyllet kampi rom Çesmin Llug në Mitrovicën Veriore
Prishtinë, 12 tetor - Familjet e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian (RAE) janë zhvendosur pas dhjetë vitesh kushte të vështira në kampin Çesmin Llug. Barakat e fundit të kampit Çesmin Lug janë rrënuar më 1 tetor 2010.
Kjo është bërë e mundur përmes përpjekjeve të përbashkëta të projekteve të financuara nga USAID dhe BE-ja në koordinim të plotë me palët tjera të interesit. Mbyllja e kampeve të kontaminuara me plumb mbetet objektiv kryesor i këtyre dy projekteve. Kampi në Osterode pritet të mbyllet deri në fund të muajit qershor 2011.
Në kuadër të projektit të financuar nga USAID-i, gjatë muajit shtator 2010 janë zhvendosur në Mahallën e Romëve pesëdhjetë familje RAE. Projekti i financuar nga BE-ja do të sigurojë zhvendosjen e 90 familjeve tjera RAE të cilat aktualisht jetojnë në kampin Osterode.
USAID-i dhe BE-ja kanë vendosur të kenë qasje të integruar dhe e kanë zgjedhur një partner implementues për t'i adresuar nevojat dhe çështjet e familjeve RAE në fushat e strehimit, kujdesit dhe trajtimit mjekësor, zhvillimit ekonomik dhe iniciativat jetësore për përkrahjen e integrimit të qëndrueshëm.
Projektet gjithashtu do të adresojnë aktivitete për zhvillimin e komunitetit për të mundësuar riintegrim dhe pajtim të qëndrueshëm dhe paqësor ndërmjet komunitetit të zhvendosur dhe komunitetit vendas. Për autoritetet vendore shëndetësore planifikohet përkrahje e mëtutjeshme për të mundësuar shërbime të duhur shëndetësore në Mahallën e Romëve si dhe trajtime specifike mjekësore për fëmijët e kontaminuar me plumb.
Projektet implementohen në bashkëpunim të plotë me qeverinë e Kosovës, Komunën e Mitrovicës dhe një numër të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare. Projektet implementohen nga Mercy Corps në emër të USAID-it dhe BE-së.