Mbyllet kampi Osterode në veri
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se ndjehet i nderuar që bashkë me partnerët nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, mandej me ata të USAID-it, Mercy Corpsit etj, po e shënojnë mbylljen e kampit Osterode. Kjo paraqet një ngjarje të rëndësishme për banorët që largohen prej atje dhe për të gjithë ne që kemi ndihmuar që të krijohen kushte për sistemimin e banorëve që kanë jetuar atje.
Ai theksoi se kjo paraqet një ngjarje të rëndësishme edhe për Kosovën dhe për komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi, duke pasur parasysh imazhin e keq që kishin krijuar kampet e veriut. Rindërtimi i Lagjes së Romëve si dhe kthimi i banorëve aty, paraqet storien më të suksesshme të kthimit të të zhvendosurve në gjithë Kosovën. Aty ka filluar një jetë e re dhe ne të gjithë do jemi përkrah banorëve që do të jetojnë aty, të cilët deri me tani kanë jetuar në kushte shumë të rënda.
Kryetari Kastrati, tha se kthimi ka qenë një sfidë e përbashkët e jona dhe fal bashkëpunimit të gjithanshëm përditë po shohim rezultate inkurajuese. Kjo reflekton vullnetin tonë për krijimin dhe ofrimin e kushteve për jetë normale të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim të përkatësisë etnike.
Ndërsa, Samuel Zhbogar, shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, u shpreh krenar që ka qenë pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Ai vlerësoi si shumë të rëndësishme edhe aktivitetet që kanë të bëjnë me integrimin e të kthyerve në shtëpitë e rindërtuara në Lagjen e Romëve.
Ai tha se projekti "Iniciativa e Bashkimit Evropian - në mbështetje të komuniteti RAE - Mitrovicë ka pasur një qasje multi-sektoriale për të mbështetur komunitetin RAE në procesin e rivendosjes. Komponentët e projektit përfshijnë: ndërtimin, rindërtim e shtëpive, shqyrtimin dhe trajtimin mjekësor, gjenerimin e të ardhurave dhe mbështetje për jetesë, arsimim, regjistrin civil, asistencë ligjore, ngritje të kapaciteteve të strukturave në nivel komunal dhe aktivitete për zbutjen e konfliktit.
Fjalë rasti mbajti edhe Radojica Tomiq, ministër për Komunitete dhe Kthim, Zoe Hopkins, zyrtare e Mercy Corpsit dhe Habib Hajdini, përfaqësues i komunitetit RAE.
BE-ja për këtë projekt që ka filluar në vitin 2012, i cili është implementuar nga Mercy Corpsi ka ndarë 5 milionë euro.