Mblidhet bordi i drejtorëve i AKP-së
Kryetari i Bordit të Drejtorëve, Blerim Rexha, tha gjatë takimit të parë të Bordit me përbërjen e re se do të ketë angazhim profesional dhe të sinqertë në detyrën e re të kryesuesit të Bordit.
Bashkë me anëtarët e tjerë të Bordit do ti qasemi me seriozitet dhe profesionalizëm detyrave dhe obligimeve që ka Bordi. Gjithë puna dhe vendimmarrja e Bordit do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Ligjin e AKP-së dhe ligjet e tjera në fuqi, tha kryetari i Bordit të Drejtorëve.
Duhet të përmirësojmë imazhin e termit privatizim në Kosovë, dhe këtë do ta bëjmë bashkërisht duke u konsultuar mes vete dhe bashkërenduar veprimet tona, ka thënë në vazhdim Rexha para anëtarëve të Bordit.
Ai siguroi se gjatë mandatit të tij si kryetar i Bordit, puna dhe vendimmarrja e Bordit dhe e gjithë Agjencisë do të jetë transparente për publikun e gjerë, ndërkaq tha se do të ketë koordinim të vazhdueshëm dhe të hapur me të gjitha institucionet e tjera shtetërore që ndërlidhen me procesin e Privatizimit në vend, në mënyrë që të përmbyllet suksesshëm sa më shpejt që është e mundur gjithë procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.
Ndërkaq drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Shkelzen Lluka dhe dy zëvendësdrejtorët Mrika Tahiri dhe Naim Avdiu informuan anëtarët e Bordit me ecurinë e gjerë tanishme të punëve në AKP, me angazhimet që e presin Agjencinë gjatë këtij viti kalendarik dhe me çështjet që duhet shqyrtuar dhe vendosur Bordi në afatin sa më të shkurtër kohor.
Bordi i Drejtorëve i AKP-së ka gjithsej tetë drejtorë dhe një anëtar në cilësinë e vëzhguesit nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Kuvendi i Republikës së Kosovës ditë më parë zgjodhi kryetar të Bordit , Blerim Rexha dhe katër anëtarë të tjerë: Haxhi Arifi, Dardane Peja, Skender Komoni dhe Maja Milanoviç, ndërkaq tre drejtorë të tjerë janë nga stafi ndërkombëtar: Hubert Warsmann, Mohammed Omran dhe Bernadette Roberts.