19 Nëntor 2024

Mbi katër milionë euro nga akciza e duhanit

Albulena S. MAVRAJ

Prishtinë, 10 shkurt - Shuma e akcizës nga duhani, e mbledhur gjatë janarit të këtij viti, arrin shifrën e mbi katër milionë eurove. Zëdhënësi i Doganës së Kosovës (DK), Adriatik Stavileci, ka thënë se shuma e akcizës së duhanit e mbledhur gjatë janarit të këtij viti arrin 4 571 609.60 euro, kurse gjatë janarit të vitit 2013 kjo shumë ishte 5 495 277.60 euro.


Sa i përket importimit të duhanit, Stavileci ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se po ashtu shuma e importit të duhanit gjatë janarit të viti të kaluar ishte më e lartë sesa këtë vit.

“Gjatë janarit të vitit 2014 janë importuar 146 795.16 kg duhan, ndërsa gjatë janarit të vitit 2013 ishin importuar 211 735.00 kg duhan”, ka thënë ai.


Sipas Stavilecit, lloji i duhanit që është importuar më së shumti gjatë janarit të këtij viti është “Marlboro” nga Philip Morris-Laussane të Zvicër.
Stavileci ka deklaruar se nga gjithsej tetë kompani, të cilat janë të licencuara për importim të duhanit, shtatë nga to kanë importuar duhan gjatë janarit të këtij viti. Sipas tij, shuma totale e të hyrave nga duhani arrin vlerën e 6 062 295.70 mijë eurove.

“Shuma totale e të hyrave nga duhani është 6 062 295.70 euro. Nga Dogana të hyrat janë 275 082.82 euro, nga akciza 4 571 609.60 euro, ndërsa nga TVSH-ja shuma e të hyrave është 1 215 603.28”, ka deklaruar Stavileci.


Kurse njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, ka deklaruar se rritja e akcizës nga janari nuk është pritur që do të ketë reflektim të menjëhershëm në rritjen e të hyrave për buxhet.

“Sigurisht se importuesit kanë krijuar stoqe, në mënyrë që në një moment të caktuar ta nxjerrin në treg duhanin për një çmim më të lartë”, ka deklaruar Rexhepi. Mirëpo, sipas tij, rritja e akcizës nuk ka ndikuar në zvogëlimin e konsumimit të cigares.

“As akciza, as ligji për duhan nuk kanë ndikuar në uljen e konsumit të duhanit. Andaj, nuk mendoj se ka qenë hap i duhur, mirëpo këtë e ka parë të arsyeshme ministria, e cila është përkujdesur të përfitojë më shumë nga akciza sesa nga qarkullimi apo format e tjera, në mënyrë që mos ta ngarkojë koston e konsumatorit”, ka thënë ai. 


Ndërkaq Adnan Gashi, shitës ambulant i duhanit, ka deklaruar se në fillim të janarit është vërejtur një rënie e kërkesës për cigare, ndonëse edhe koha e ka bërë të veten.

“Tani me ndryshimin e kohës dhe kur konsumuesit po kanë mundësi të ulen dhe jashtë lokalit për të pirë cigare veç ka filluar të rritet shitja e duhanit”, ka thënë ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)