Mbi 9.5 milionë euro do të ndahen gjatë vitit 2018 për inovacionet
Prishtinë, 13 nëntor - Në Prishtinë është hapur Konferenca Globale për Ndërmarrësi 2017. Në hapje të kësaj konference kanë marrë pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, Ambasadori i ShBA-së në Kosovë Greg Delawie, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, përfaqësues të Odës Amerikane të Biznesit dhe përfaqësues të institucioneve të tjera, si dhe përfaqësues të ndërmarrjeve dhe inovatorë.
Në hapje të kësaj Konference, në panelin diskutues mori pjesë edhe ministri i Inovacionit dhe Ndëmarrësisë, Besim Beqaj, i cili në fjalën e tij shprehu përkushtimin e ministrisë që drejton në përkrahje të inovacioneve në ekonomi dhe ndërmarrësve kosovarë.
“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në buxhetin e vitit 2018 i ka të planifikuar mbi 10 milionë euro, nga të cilat mbi 9.5 milionë do të ndahen për inovacionet dhe ndërmarrjet”, tha Beqaj.
Ai më tej ka theksuar se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, me qëllim të përkrahjes së ndërmarrjeve do të themeloi 4 qendra të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë; në Prizren, Prishtinë, Mitrovicë dhe në Pejë.
Ministri Beqaj ka sqaruar se fondi për Inovacion dhe Ndërmarrësi do t’i ketë tri shtylla: Edukimin; ku përfshihet edhe bashkëpunimi me institucionet e arsimit të lartë në Kosovë; Infrastruktura ligjore dhe fizike; ku përfshihet hartimi i bazës ligjore dhe themelimi i qendrave të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, dhe Përkrahja direkte e inovatorëve dhe ndërmarrësve.
Konferenca Globale e Ndërmarrësisë po mbahet këtë vit nën patronatin e Kryeministrit Haradinaj dhe do të zgjasë nga 13 deri më 19 nëntor. Kjo Konferencë organizohet nga Qendra Inovative e Kosovës mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, GIZ, USAID-i dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë.