07 Nëntor 2024

Mbi 85% e pozitave menagjeriale në NP udhëhiqen nga burrat

Prishtinë, 19 shtator - Sot Instituti GAP  ka prezantuar të gjeturat e raportit “Përfaqësimi i grave në bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura”.

Raporti u prezantua në një tryezë diskutimi ku morën pjesë edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Drejtoresha Ekzekutive e Institutit GAP, Nora Latifi-Jashari, tha se ky raport është i dyti me radhë në kuadër të projektit hulumtues mbi barrierat e punësimit të grave në Kosovë që financohet nga USAID.

Përderisa raporti i parë analizon gjuhën e konkurseve si barrierë në punësimin e grave, në raportin e dytë është analizuar përfaqësimin gjinor në 31 ndërmarrje publike dhe 31 institucione dhe agjenci të pavarura.

Jeton Mehmeti, Drejtor i Hulumtimeve në Institutin GAP, duke prezantuar të gjeturat e raportit tha se gratë janë shumë pak të përfaqësuara si anëtare të bordeve, shumë më pak si kryesuese të bordeve dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre mbajnë pozita të larta menagjeriale nëpër borde.

 Sipas tij, nga 159 anëtarë të bordeve në 31 ndërmarrje publike, 135 janë burra dhe 24 janë gra, kurse vetëm pesë borde kryesohen nga gratë. 

Ndërkaq, mbi 85% e pozitave menagjeriale në ndërmarrjet publike udhëhiqen nga burrat.  Situata është pothuajse identike edhe tek institucionet dhe agjencitë e pavarura. Për të rritur numrin e grave në bordet e ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të pavarura, Instituti GAP ka rekomanduar vendosjen e kuotave të përfaqësimit gjinor.

Një praktikë e tillë mbështetet në praktikat e shteteve të BE-së si dhe në studime të tjera që dëshmojnë se diversiteti gjinor ndikon pozitivisht në performancën ekonomike të kompanive publike.

Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, informoi pjesëmarrësit se ministria të cilën e udhëheq tashmë ka përgatitur një koncept dokument që kërkon komplet ndryshimin e Ligjit për ndërmarrje publike.

Ministri Lluka premtoi se  me ligjin e ri do të  parashihen edhe kuotat për përfaqësimin e grave në bordet e ndërmarrjeve publike. Me këtë rast, ministri ftoi shoqërinë civile për të kontribuar në fazën e përpilimit të ligjit në fjalë duke u bazuar në të gjeturat e raporteve relevante sikurse ky i Institutit GAP.

Pjesëmarrësja tjetër në panel, Visare Gorani-Gashi, e cila udhëheq programin qeverisje demokratike, të drejta të njeriut dhe barazia gjinore në Ambasadën Suedeze, theksoi se një ndër parimet më të rëndësishme të barazisë gjinore është se gratë duhet të kenë të drejtë të balancojnë jetën publike dhe private pa frikë nga diskriminimi dhe abuzimi.

Ajo theksoi se rolet dhe pritshmëritë shoqërore e ndalojnë gruan të jetë pjesëmarrëse e barabartë në pozita vendimmarrëse. 

"Prandaj, rekomandoi që medoemos të ndryshohet klima në jetën publike për t’u mundësuar grave të kenë qasje më të lehtë në këso pozita."

Në diskutim morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve publike dhe të organizatave të shoqërisë civile. Përveç publikimit të raportit, sot Instituti GAP ka lansuar edhe një video kampanjë mbi diskriminimin gjinor në tregun e punës.    

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)