Mbi 80% e pasurisë globale është në dorën e 1% të popullsisë
Davos, 23 janar - Një raport i ri tregon se katër nga çdo pesë dollarë e pasurisë së gjeneruar në vitin 2017 ka përfunduar në duart e 1 për qind të më të pasurve në të gjithë planetin.
Oxfam, një bashkim ndërkombëtar organizatash bamirëse, publikoi ​​raportin në prag të hapjes së Forumit Ekonomik Botëror (WEF) 2018 në Davos.
Drejtoresha ekzekutive e Oxfam, Winnie Byanyima, tha se mospagesa e taksave dhe mungesa e pagës minimale është pjesë e problemit.
"Vendet në zhvillim humbasin çdo vit 100 miliardë dollarë, nëpërmjet mashtrimit me taksat. Të gjitha këto para duhen të investohen në edukimin e fëmijëve, sistemin shëndetësor dhe punësimin e të rinjve. Por këto para, të cilat fshihen pas parajsave fiskale, nuk taksohen. Pra qeveritarët duhet të ndalojnë abuzimet e këtij lloji dhe duhet t'i vënë këto para në dispozicion të arsimimit dhe shëndetit të fëmijëve në mënyrë që ata të bëhen njerëz produktivë në të ardhmen. Këto janë disa nga gjërat që duam të shohim nga udhëheqësit e qeverive të shumë vendeve", u shpreh drejtoresha e Oxfam.
Në raport thuhet se 2017-a pa rritjen më të madhe të miliarderëve në histori.
Ai përmendi të dhënat që sugjeronin se vitin e kaluar pati një rritje prej 762 miliardë dollarësh të pasurisë për miliarderët. Kjo është një vlerë e mjaftueshme për t'i dhënë fund varfërisë ekstreme në të gjithë botën shtatë herë më shumë.
Raporti vlerëson gjithashtu se kjo 1 për qind e të pasurve ka shmangur taksa që kapin vlerën e 200 miliardë dollarësh.
Ndërsa Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, përgatitet të marrë pjesë në takimin në Davos, bamirësia po e akuzon atë se është një nga fajtorët kryesorë që ushqen pabarazinë, duke fajësuar legjislacionin e tij për dhënien e pushimit tatimor për korporatat shumë të pasura dhe të mëdha.