Mbi 750 gra dhe burra të Dragashit e Shtërpcës kanë një vend të ri pune
Prishtinë, 16 mars - Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) lansuan sot fazën e dytë të projektit Zhvillimi i Integruar Teritorial (INTERDEV) në një ngjarje ku u shpalosën të arriturat e deritashme dhe u prezantuan objektivat e projektit për tri vitet e ardhshme.
Gjatë fazës së parë trevjeçare, projekti INTERDEV ka ndihmuar banorët e Dragashit dhe Shtërpcës me vende pune, aftësim për punë, rritje të produktivitetit në ferma dhe biznese të vogla rurale, si dhe ka përmirësuar shërbimet publike lokale.
Në një zonë të njohur për biodiversitetin e saj të lartë, të pasur me burime natyrore, dhe me ndotje të ulët mjedisore, bujqësia, sipërmarrësia rurale, si dhe grumbullimi i produkteve pyjore jodrusore, si manaferrat e egra dhe bimët mjekësore, janë burim kryesor i të ardhurave për shumë familje.
Asistuar nga projekti, mbi 750 gra dhe burra kanë një vend të ri pune, jeta e më shumë se 2600 anëtarëve të familjeve është përmirësuar dhe është ngritë cilësia e 325 ndërmarrjeve të vogla rurale që shesin prodhime të ndryshme si mjedra, domate, mjaltë, apo mish dhe qumësht dhie alpine.
Të gjitha këto u bënë të ditura sot me rastin e fillimit zyrtar të fazës së dytë ku, në një ceremoni rasti, kryetarët e tri komunave nënshkruan memorandum mirëkuptimi për implementimin e projektit
Me këtë rast, koordinatori i OKB-së për Zhvillim dhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së Andrew Russell, u shpreh: Iniciativat si kjo janë të mirëseardhura sepse ndihmojnë që Kosova të bëhet një vend në të cilin qytetarët dojnë të qëndrojnë e jo të largohen. Ky projekt ka të bëjë me fuqizimin e njerëzve. Ne po rrisim shkallën e ekonomisë dhe po ndryshojmë jetën e individëve.
Ambasadori austriak Gernot Pfandler shpalosi pse Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) vendosi ta financojë edhe më tutje këtë projekt: Ky projekt, që jemi duke e bërë bashakrisht me UNDP-në është duke kontribuar në zhvillim dhe ndihmuar në zgjidhjen e dy problemeve më të mëdha që ka Kosova: papunësinë dhe përfshirjen sociale. Ne krijuam vende pune dhe mbështetëm ndërmarrjet e vogla. Projekti adresoi edhe çështjen e fuqizimit të gruas që është jetik për ekonominë dhe shoqërinë.
Falë projektit INTERDEV, përfaqësuesit e komunave janë më të fuqizuar dhe të përgjegjshëm në planifikimin dhe ofrimin e shërbimeve publike dhe kuptojnë rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse për zhvillimin e komuniteteve të tyre.
Për më tepër, më shumë se 900 pronarë biznesesh, fermerë, prodhues dhe anëtarë të shoqërisë civile kanë njohuri më të mirë dhe aftësi në fusha të ndryshme të bujqësisë, zhvillimit rural dhe ekonomik, dhe teknikave prodhuese ekologjike.
Duke parë se ky projekt arriti ti adresojë disa nga sfidat më madhore me të cilat ballafaqohen qytetarët, ADA dhe UNDP do të lansojnë fazën e dytë të projektit INTERDEV i cili do të zgjasë deri në janar të vitit 2020 dhe do të përfshijë edhe komunën e Vitisë.
Rodoljub Mladenovic, zëvëndës Ministër i Bujqësisë në fjalën e tij të rastit tregoi se ka marrë pjesë edhe vet në implementimin e projektit: Mund të ju them se ky është projekti më I mirë ekonomik në Kosovë që përqëndrohet në vetëpunësim dhe I udhëzon njerëzit sit ë rriten dhe mësojnë. Ndërmarrjet e vogla marrin mbështetje financiare dhe të njohurive. Kjo është e bukura e këtij projekti.
Edhe Safet Kamberi, zëvëndës Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale pati fjalë miradie për vazhdimin e projektit INTERDEV: Të gjithë ne me këto lloj projektesh jemi duke ndihmuar vetëpunësimin. Ministria jonë do të jetë partner aktiv I kësaj inciative dhe ne do të përpiqemi edhe ta rrisim ndikimin që ka projekti.
Gjatë periudhës së ardhshme trevjeçare, INTERDEV 2 do të vazhdojë ti ndihmoj fermerët, iniciativat e bizneseve të vogla, banorët, gratë, të rinjtë, komunitetet pakicë dhe njerëzit me aftësi të kufizuara të papunë që kanë kualifikim të ulët ose janë të pakualifikuar. Pritet që më shumë se 700 gra dhe burra nga komuna e Dragashit, Shtërpcës, dhe Vitisë të punësohen që do të rezultojë në përmirësimin e jetës së mbi 3800 njerëzve.