17 Nëntor 2024

Mbi 56 për qind e bizneseve kosovare kanë shënuar rritje

Prishtinë, 13 nëntor - Në tryezën e organizuar nga Instituti Riinvest “Klima e Biznesit në Kosovë 2014” janë prezantuar dhe diskutuar gjetjet nga ekipi hulumtues i Institutit Riinvest, të dala nga anketa me 1000 bizneseve nga mbarë Kosova. 

Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku përmendi faktorët kyç që pamundësojnë rritjen e sektorit privat dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Ai i dha theks të veçantë rritjes së ulët ekonomike, shkallës së lartë të papunësisë, deficitit të lartë tregtar, mungesës së investimeve të huaja dhe mungesës së politikave të favorshme biznesore.

“Me trendin e tanishëm të rritjes ekonomike, Kosovës do t’i duhen pesë dekada të tera për të arritur një mesatare rajonale e evropiane. Për më tepër, bruto produkti ynë vendor – për kokë banori – vazhdon të mbetet më i ulëti në rajon e Evropë.” (Lumir Abdixhiku)

Të dhënat e nxjerra nga raporti “Klima e Biznesit në Kosovë”, i prezantoi hulumtuesi i avancuar në Institutin Riinvest Agon Nixha.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Nixha, mbi 56% të bizneseve kosovare kanë shënuar rritje ose kanë mbetur të njëjta përgjatë katër viteve të shkuara, ndërsa 44% kanë pësuar rënie.

Sa i përket barrierave kryesore të sektorit privat të deklaruara nga vet ndërmarrësit, ato ndërlidhen me koston e lartë të financimit, nivelin e lartë të korrupsionit,  mungesën e përkrahjes shtetërore, konkurrencën jo fer (të shtyrë nga informaliteti e evazioni fiskal) dhe mosfunksionimin e sistemit gjyqësor.     

Shefi i Sektorit të Politikës, Ekonomisë dhe Integrimeve Evropiane nga Zyra e BE-së për Kosovë, Thomas Gnocchi, deklaroi se shumë prej çështjeve të përmendura në raport, janë vendimtare për Kosovën dhe se janë tepër të rëndësishme në agjendën e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ai shtoi se ngërçi politik ka shkaktuar ngecje në proceset zhvillimore të BE-së në Kosovë dhe i bëri thirrje klasës politike që sa më parë të dalin nga ngërçi politik.

Jan Peter-Olters, menaxher shteti në Bankën Botërore, i cili deklaroi se raporti “Klima e Biznesit në Kosovë”, përmend të gjitha sfidat me të cilat ekonomia kosovare do të ballafaqohet viteve të ardhshme.

Ai shtoi se duhet ti vihet theks i veçantë fuqizimit të sektorit privat, pasi që sektori privat mbetet përcaktuesi kryesor i prodhimtarisë dhe rritjes ekonomike.

Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës theksoi se mungesa e sundimit të ligjit mbetet pengesa më e madhe për bizneset në Kosovë. Me trendin momental në rënie të GDP-së, Kosova humbet 325 milion $ në vit, deklaroi Gërxhaliu.

 

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)