Mbi 5200 taksapagues grekë me depozita në Lihtenshtein dhe Luksemburg
Athinë, 7 janar - Të paktën katër lista me emra të qytetarëve grekë që kanë depozituar paratë e tyre në bankat e huaja apo kanë kryer blerje pasurish jashtë vendit kanë sjellë reagime të mëdha në Greqi pasi zbulojnë edhe më shumë shkallën e madhe të korrupsionit dhe të evazionit fiskal në këtë vend.
Bëhet fjalë për më shumë se 5200 taksapagues grekë me depozita në Lihtenshtein dhe Luksemburg, me pasuri të palujtshme në Londër dhe me jahte luksoze të ankoruara në portet e Holandës që u janë shmangur vazhdimisht prej vitesh pagesës së taksave të Greqisë.
Madje një prej listave, ajo e depozituesve të Luksemburgut u është dorëzuar organeve greke qysh prej vitit 2007, por asnjë prej qeverive pasardhëse nuk ka mundur të luftojë fenomenin evazionit fiskal.
Ka mëse tre vjet, bën me dije shtypi i fundjavës, që mbi 600 shtetas grekë të pasur, kanë blerë shtëpi, vila apo apartamente luksoze në zonat më të mira të Londrës për të fshehur të ardhurat e tyre, duke iu shmangur taksave, ndërsa mbi 100 vetë kanë çuar jahtet e tyre lukzose në Holandë, për të mos i deklaruar në Greqi dhe për të përfituar financiarisht.