Mbi 250 biznese në konferencën e investitorëve në Gjakovë
Gjakovë, 29 korrik - Me organizim të Komunës së Gjakovës, sot është mbajtur konferenca e investitorëve, si e para e këtij lloji në nivel lokal në Republikën e Kosovës, e cila vie pas konferencës së donatorëve të mbajtur vitin e kaluar, po në të njëjtin nivel.
Në hapje të kësaj konference, Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila bëri një prezantim të përgjithshëm të projekteve, që kishin për qëllim promovimin e tyre dhe të vet komunës së Gjakovës, si një destinacion me potenciale për investitorë të jashtëm dhe lokal.
Kryetarja Mimoza Kusari Lila tregoi për objektivat e kësaj konference siç janë: krijimi i një platforme prezantuese për qytetin e Gjakovës dhe regjionin e saj, prezantimin e mundësive për investime në zonat kryesore aktuale, prezantimin e zonave atraktive të qytetit të Gjakovës, prezantimin e projekteve dhe materialeve promovuese për zonat me potencial investimi, si dhe shkëmbimin e ideve ndërmjet bizneseve, investitorëve, Komunës dhe qytetarëve.
Këto projekte janë konkrete dhe ofertuese që disponon Komuna e Gjakovës, si një vend i zhvilluar, i edukimit dhe i kulturës, ka theksuar kryetarja Mimoza Kusari Lila, e cila në këtë kontest ka potencuar edhe disa vonesa për shkak të mos kompletimit të bordeve adekuate që po bëhen nga qeveria qendrore për Zonën e Lirë Ekonomike, Zonën Industriale, si dhe aeroportin e Gjakovës.
Me kompletimin e bordeve në atë nivel, do të vazhdohet me procedura tjera që do të jenë shumë të favorshme për komunën e Gjakovës, e të cilat së bashku përbëjnë një pako unike si vend kufitar ka shtuar Mimoza Kusari Lila. Ajo ndër të tjera ka potencuar edhe bashkëpunimin ndërkufitar të inicuar edhe nga institucionet tona, si ai me Fondin Zhvillimor Shqiptar, në lëmin e infrastrukturës, bujqësisë, zhvillimit ekonomik, turizmit, etj.\"
\"Në kuadër të projekteve të përgjitshme për komunën, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka përmendur edhe projektin e Europan-it që do të ndërlidh pjesën e vjetër me atë të re të qytetit, pastaj ka përmendur trashëgiminë kulturore, si Çarshia e Madhe, diversitetin kulturor fetar, duke e përmbyllur me mesazhin se performanca jonë do të varet nga puna që do të kemi me sektorin privat.
Në sesionin e parë që kishte të bënte me ndikimin e pushtetit lokal në klimën e përgjitshme të biznesit në Kosovë, Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonimike e Kosovës, theksoi se nëse pjesa dërrmuese nga projektet e prezantuara në këtë konferencë do të implementoheshin, atëherë do të ishte një fitore shumë e madhe për Kosovën.
Kjo është dëshmi se ka ardhur koha që ekonomia të ndahet nga politika dhe gjithashtu ka ardhur koha kur sektori privat duhet të jetë prioritet. Ndërsa, Suad Berisha nga Aleanca Kosovare e Biznesit, ka pohuar se kjo është një qasje shumë proaktive e kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, për hapje të vendeve të reja të punës dhe se do të mbështesin çdo nismë të tillë. Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka shprehur idenë që konferenca të tilla të organizohen edhe në nivel rajonal, dhe konderenca e sotme ka një rëndësi të vecantë për krijimin e një mjedisi më të mirë për të bërë biznes.
Nga ana tjetër, Lendita Kastrati prej Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, ka fokusuar rëndësinë tek statistikat e disfavorshme aktuale për femrat në fushën e biznesit duke kërkuar hapësirë më të madhe dhe për ato në biznes. Në këtë sesion fjalë rasti pati edhe Albert Matoshi nga Oda Ekonomike Gjermane e Kosovës, i cili theksoi që mërgata shqiptare duhet të ketë hapësirë dhe mbështetje sepse ka mjaft profesionistë në mërgim që kanë lidhje dhe bashkëpunojnë me organizata gjermane.
Në sesionin e dytë kanë prezantuar Bekim Ermeni, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka prezantuar potencialin e agrokulturës në Gjakovë si një sektor mjaft atraktiv për investitorët e huaj.
Admir Shala, drejtor i Ngrohtores së Qytetit dhe Burim Meqa, shef i Sektorit për Menaxhim të Projekteve në Komunën e Gjakovës kanë bërë prezentimin e potencialeve të energjisë së ripërtritshme ku Gjakova shihet si një pikë kryesore në Kosovë, si dhe potencialin industrial si një vend me traditë, asete dhe fuqi punëtorë të mjaftueshme në këtë fushë.
Sesioni i tretë në konferencën e investitorëve ka sjellur edhe projektet komunale kapitale në bashkëpunim me agjencitë zhvillimore dhe bankat ndërkombëtare, ku kanë prezentuar eksperti Ian Jennings nga EBRD, për projektin e transportit urban dhe bashkëpunimin me Komunën e Gjakovës, Esther Gravenkoetter nga KFW/SECO, i cila ka bërë prezentimin e impiantit të ujërave të zeza, dhe Admir Shala, i cili ka prezantuar projektin e ri të Ngrohtores së Qytetit me metoda të bio-masës e cila ka kosoto shumë më të ulët të ngrohjes. Të tre këto projekte është llogaritur të kenë një investim prej rreth 44 milionë euro, të cilat do të kenë një efekt të shumë të madh në Komunën e Gjakovës.
Në sesionin e katërt dhe të fundit, para investitorëve janë prezentuar projektet detale që i disponon Komuna e Gjakovës, ku nga Lekë Sina, udhëheqës i Sektorit të Komunikacionit është bërë prezentimi i projektit të transportit urban dhe të hapësirave për parkingje.
Nga Hana Zeka është bërë prezentimi i menaxhimit të mbeturinave, gjegjësisht të stacionit transfer, ndërkaq Burim Meqa ka paraqitur projektin e ndriçimit publik. Projektin e Shkugëzës, Kodrës së Çabratit dhe të Shtëpisë së Gjelbër e ka prezentuar Xhelal Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe të Mbrotjes së Mjedisit, ndërsa Diana Qarkaxhija, drejtore e Drejtorisë së Arsimit ka bërë prezentimin e projekteve të terreneve sportive në shkolla.
Në këtë konferencë të investitorëve është bërë edhe prezentimi i ligjit për partneritet publiko-privat, duke ju dhënë informata investitorëve për mundësitë dhe lehtësirat që i ofron legjislacioni për investime.
Në konferencë kanë marrë pjesë mbi 250 investitorë, ndërkaq gjatë ditëve në vazhdim Komuna e Gjakovës do mbetet në kontakt të vazhdueshëm për të proceduar më tutje me konkretizimin e projekteve në bazë të interesimit që kanë shfaqur investitorët.