Mbi 200 punëtor nga Mitrovica do të fillojnë punën në Kazakistan
Prishtinë, 26 shkurt - Më shumë se 200 punëtorë nga Komuna e Mitrovicës të cilët janë përzgjedhur për të punuar në Kazakistan, së shpejti do të fillojnë trajnimin një mujor dhe më pas do të udhëtojnë për në Kazakistan.
Ky kontingjent i punëtorëve mitrovicas ju është premtuar kohë më parë kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, nga kompania Mabetex, e drejtuar nga Islam Pacolli.
Në një takim që është mbajtur të mërkurën në sallën e shtëpisë së kulturës,Rexhep Mitrovica, ndërmjet punëtorëve të përzgjedhur, autoriteteve komunale dhe përfaqësuesve të kompanisë Mabetex të përfaqësuar nga Vehbi Asllani, i`u ka sqaruar të pranishmëve procedurat e plotësimit të formularit për trajnim dhe proceduarve të tjera për punëtorët që do të udhëtojnë për në Kazakistan.
Bëhet e ditur se të përzgjedhurit do të mbajnë një muaj trajnim, në qendrën për trajnime profesional- GIZ në Mitrovicë.
Në anën tjetër, kryetari Mitrovicës, Agim Bahtiri, para të pranishmëve tha se beson që ky numër i punëtorëve do të jetë shumë më i madh në të ardhmen.
Në të ardhmen do të ketë numër më të madh të punëtorëve që do të shkojnë në Kazakistan, por edhe në vende të tjera si në Japoni. Po ashtu do të punësohen mbi 3.500 persona në fabrikën e kërpudhave e që makineritë do të fillojnë punën së shpejti, ka thënë kryetari Bahtiri, duke shtuar se sipas kësaj rrjedhe po realizohet edhe premtimi e tij për punësimin e mijëra personave në qytetin e Mitrovicës.
Ndryshe, kryetari Bahtiri, më herët pati formuar një komision komunal për marrjen e propozimeve nga këshillat e bashkësive lokale për përzgjedhjen e këtyre punëtorëve.
Komisioni në fjalë, së bashku me përfaqësuesit e bashkësive dhe banorëve të atyre lokaliteteve, ka bërë përzgjedhjen e atyre që është vlerësuar se jetojnë në kushte më të vështira sociale dhe ekonomike.
Ndërsa, të përzgjedhurit janë shprehur të impresionuar duke falënderuan kryetarin Bahtiri dhe kompaninë Mabetex për këtë mundësi që i`u është afruar.