Mbi 1700 punëtorëve të 21 NSh-ve përfitojnë nga 20 %
Prishtinë, 7 gusht - Agjencia Kosovare e Privatizimit ka ekzekutuar vendimin për shpërndarjen e pjesshme të 20 % edhe për 21 ndërmarrje shoqërore (NSh).
Nga ky vendim për shpërndarje të pjesshme të 20 %, pas kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm, do të përfitojnë gjithsej 1736 punëtorë të këtyre ndërmarrjeve shoqërore, kurse shuma e përgjithshme që shpërndahet tek ta është 2 milionë e 578 mijë e 326 euro.
Agjencia këtë shumë të mjeteve e bartë në llogari të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ashtu siç është e përcaktuar ligjërisht mënyra e shpërndarjes së 20 % për punëtorët, ndërsa BSPK do të shpërndaj mjetet te secili punëtorë në llogari individuale.
Lista e këtyre 21 ndërmarrjeve shoqërore përbëhet nga: IMK F. e Tubave-Ferizaj; KB Kosova-Lipjan; Elmont-Pejë; Sharprodhimi-Dragash; Jugobanka-Mitroivcë; Moronica-Junik; Kb Gurrakoc; Kb Ujmir; Deva-Gjakovë; Liria-Budisalc; Kb-Rakosh; Gjeravica-Deçan; Tregjet-Peje; Marketing Export-Prishtinë; Prodhimtaria Bimore-Rezniq; Kooperimi-Suharekë; Jugoterm-Gjilan; Kb Shtime; Qumshtorja-Fushë Kosovë; Termovent-Lipjan dhe Podrima-Rahovec.
Shpërndarja e përnjëhershme e 20 % për një numër kaq të madh të ndërmarrjeve shoqërore motivon stafin e Agjencisë për punë.
Njëherit, Agjencia kërkon nga përfaqësuesit e këtyre NSh-ve që në BSPK të dërgojnë llogarit bankare dhe kopjet e letërnjoftimit për secilin punëtor që është në listë, në mënyrë që të mos ketë vonesa në bartjen e mjeteve tek punëtorët.
Shuma e përgjithshme e 20 % për këto 21 ndërmarrje shoqërore është 3 milionë e 437 mijë euro e 768 euro, kurse pjesa e mbetur do të shpërndahet në momentin kur Dhoma e Posaçme lëshon vendimet e formës së prerë lidhur me ankesat dhe kundërshtimet e mundshme ndaj listave aktuale të punëtorëve të NSh-ve.
Deri më tani Agjencia ka shpërndarë mbi 77 milionë euro dhe kanë përfituar 36 mijë e 281 punëtorë. Kurse gjatë këtij viti Agjencia ka shpërndarë rreth 7 milionë euro për 4 mijë e 398 punëtorë pa përfshirë këtu shpërndarjet e fundit.