26 Dhjetor 2024

Mbështetja për Kosovën janë aspektet kryesore strategjike të të dy partive në SHBA

Prishtinë, 25 nëntor - Përmes një takimi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës, përfaqësues të bizneseve anëtare të të dyja odave patën mundësinë të takonin Shkëlqesinë e Tij Philip Kosnett, Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, si dhe drejtorin menaxhues të Korporatës Zhvillimore Financiare (DFC) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, John Jovanovic, për të diskutuar prospektet e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi normalizimin ekonomik, e cila u nënshkrua nga Kosova dhe Serbia në Uashington më 4 shtator.

Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett, shprehu kënaqësinë e tij mbi punën e përbashkët të të dy odave ekonomike për promovimin e përfitimeve të normalizimit ekonomik, derisa shtoi se është shumë e rëndësishme për qeverinë e SHBA-së të ketë një partneritet të fortë me komunitetin e biznesit në Kosovë.

"Diçka që ne të gjithë ndajmë është dëshira për të parë Kosovën dhe rajonin të bëhen më paqësorë, më prosperues, dhe këtë nuk mund ta bëjmë pa përfshirjen e sektorit privat," tha Ambasadori Kosnett, duke shtuar se një element kryesor i politikës amerikane gjatë viteve të fundit ka qenë njohja e nevojës për iniciativa ekonomike të cilat ndihmojnë qytetarët e zakonshëm për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten e tyre.

"Është e vështirë të ndash politikën nga ekonomia, por mund të ju them se kur injorohet ekonomia dhe kur injorohen përfitimet që qytetarët e zakonshëm shohin nga iniciativat politike, është shumë e vështirë të ecësh përpara," theksoi ambasadori Kosnett.

Ambasadori Kosnett më tutje tha se mbështetja për prosperitetin e Kosovës, sundimin e ligjit dhe paqen me fqinjët, janë aspektet kryesore strategjike të të dy partive në SHBA, duke shtuar se bizneset dhe njerëzit e Kosovës e kuptojnë që ndihma ekonomike e Amerikës për Kosovën ka qenë gjithmonë e përqendruar në ndërtimin e vetë-mjaftueshmërise, për t’i mundësuar vendit të krijojë rrugën drejt së ardhmes.

Ambasadori shpjegoi se Ambasada Amerikane dhe partnerët e saj në Uashington po vazhdojnë të lëvizin me shpejtësi të plotë për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit, duke pasur parasysh se përmirësimi i jetës së qytetarëve të zakonshëm është thelbësor për ndërtimin e ekonomisë së rajonit, dhe është një nga arsyet pse marrëveshja përqendrohet aq shumë në modernizimin e infrastrukturës, pasi që kjo e fundit lehtëson lëvizjen e njerëzve dhe mallrave përtej kufijve, gjë që është kyçe për zhbllokimin e potencialit të këtij rajoni.

“Nëse shikoni në hartën e Ballkanit, Kosova është në mes të hartës. Fqinjët e Kosovës kanë nevojë për Kosovën po aq sa Kosova ka nevojë për fqinjët e saj, për të ndërtuar një ekonomi rajonale dhe për të ndërtuar një infrastrukturë rajonale,” tha ambasadori Kosnett, duke përfunduar se është e rëndësishme që Kosova të tejkalojë rezervimet e saj rreth CEFTA-së, rreth Mini-Schengen-it dhe të punojë me partnerët e saj rajonalë.

John Jovanovic, drejtor menaxhues për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Egjeut në Korporatën Zhvillimore Financiare (DFC) tha se pjesa kryesore e objektivave të DFC-së në rajon është të zgjerojë mjetet financiare që janë tashmë në dispozicion të Kosovës, në mënyrë që të fuqizojë ekonominë e saj duke mobilizuar më shumë investime private nga tregjet globale të kapitalit.

"Sa i përket qëllimeve tona të zhvillimit rajonal - ato përqendrohen në luftimin e ikjes së trurit, duke u ofruar të rinjve mundësi bindëse ekonomike për të qëndruar dhe për të qenë të suksesshëm në rajon," deklaroi Jovanovic, duke shtuar se DFC gjithashtu fokusohet në krijimin e kushteve më të qëndrueshme rajonale në aspektin e energjisë dhe telekomunikacionit, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit të përgjithshëm ekonomik rajonal, i cili do të rezultojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike të rajonit.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se Oda Amerikane ka mirëpritur marrëveshjen për normalizim ekonomik të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke besuar se ajo do të hapë mundësi të reja për zhvillim ekonomik të Kosovës dhe Serbisë, por edhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke përmirësuar shkëmbimin ekonomik, ofruar mundësi të reja të financimit dhe shfrytëzimit më të mirë të resurseve të përbashkëta natyrore.

Ai theksoi rëndësinë e hapjes së mundësive të reja të financimit nga Korporata Financiare Zhvillimore dhe Banka EXIM për zhvillimin e infrastrukturës transportuese, por edhe lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrëset gra.

Krejt në fund, ai përkrahu vendimin e Kosovës për t’iu bashkuar iniciativës së katër lirive ose zonës mini-Shengen, e cila do të garantojë lëvizje të bizneseve dhe profesionistëve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se ekziston një angazhim konkret i sektorit privat si nga ana e Kosovës ashtu edhe nga ana e Serbisë lidhur me këtë marrëveshje, ndërsa potencoi se këtë do të donin ta shihnin si një momentum të mirë për të avancuar bashkëpunimin ekonomik rajonal.

Rukiqi gjithashtu theksoi se bashkë me drejtorin ekzekutiv të Odës Amerikane Arian Zeka kanë vizituar Uashingtonin si aktivitet pasues i pjesës së marrëveshjes që përfshin sektorin privat, dhe gjithashtu për të diskutuar gjerësisht mbi instrumentet financiare që DFC dhe institucione të tjera të rëndësishme financiare kanë në dispozicion.

 Sipas Rukiqit, ekzistojnë shumë pengesa dhe çështje të cilat duhet të adresohen, dhe implementimi i dispozitave të caktuara të kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë jo vetëm në adresimin e çështjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, por edhe të çështjeve të ndryshme që e ndikojnë negativisht zhvillimin ekonomik të tërë rajonit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)