Mbahet takimi i Komitetit Ndërministror për Administrimin e Tokës
Prishtinë, 3 prill - Nën organizimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, sot në Prishtinë, është mbajtur takimi i rregullt i Komitetit Ndërministror për Administrimin e Tokës.
Ky Komitet përbëhet nga institucione vendore dhe ndërkombëtare të përfshira në fushën e administrimit të tokës dhe ka për qëllimi që të diskutojë dhe propozojë politika për mirëmbajtjen e tokës dhe politika hapësinore në Republikën e Kosovës.
Takimi u hap nga Zv. Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë Ilir Mirena, i cili u shpreh rreth përkrahjes që Qeveria në përgjithësi, dhe kjo Ministri në veçanti, ia jep administrimit të tokës, duke e konsideruar tokën si një nga segmentet më të rëndësishme të mirëmbajtjes dhe ngritjes ekonomike të një shteti.
Administrimi i tokës është një segment i rëndësishëm i cili gjithmonë po merr një trajtim parësor nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila është e vetëdijshme që toka është një shtyllë kryesore në mirëmbajtjen dhe zhvillimin e një shteti, dhe si e tillë meriton përkrahje dhe përkushtim maksimal.\"
\"Duke marrë parasysh se përfituesi i fundit dhe më i rëndësishmi nga një tokë e administruar mirë është vetë qytetari i Republikës së Kosovës, përpiqemi që gjithmonë të jemi të përfshirë në këtë fushë.\"
\"Përfshirja e Qeverisë së Republikës së Kosovës nënkupton përkrahjen financiare, profesionale dhe ligjore për ekspertët dhe institucionet që administrojnë tokën, e gjithë kjo me qëllim të krijimin të kushteve sa më të mira për punë, që është edhe kusht i rëndësishëm për avancimin e administrimit të tokës, tha z. Mirena.
Ndërsa Kryeshefi i AKK-së Prof. Dr. Murat Meha, pasi falënderoi donatorët dhe institucionet vendore për përkrahjen, para të pranishmëve prezantoi aktivitetet e AKK-së në fushën e administrimit të tokës duke përmendur projektet e rëndësishme si Rindërtimi Informacioneve Kadastrale, Kadastri i Ndërtesave, Sistemi i Unifikuar i Adresave, Gjeoportali ,etj, për të cilat tha se janë duke prodhuar një menaxhim më të mirë të të dhënave gjeohapësinore në pajtueshmëri me standardet evropiane.
Po ashtu në takim u prezantua edhe plani i biznesit i AKK-së për periudhën 2013-2017, ndërsa prezantime profesionale mbajtën edhe përfaqësueses të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Instituti i Planifikimit Hapësinorë, etj.
Edhe nga ana e donatorëve u vlerësua ecuria e projekteve, duke vlerësuar lartë angazhimin e ekspertëve vendor të përfshirë në këtë fushë, ndërsa si çështje brengosëse nga ana e tyre u theksua mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe financiare me të cilën AKK mund të ballafaqohet, pas largimit të donatorëve.