Mbahet mbledhja për Parandalimin e Punëve të Rënda të Fëmijëve
Prishtinë, 10 qershor- Sot u mbajt mbledhja e parë për këtë vit e Komitetit për Parandalimin dhe Eliminimin e Punëve të Rënda të Fëmijëve në Kosovë.
Muajin e kaluar Qeveria e Kosovës aprovoi vendimin për themelimin e këtij Komiteti i cili mbledhë rreth vetes një numër relevant institucionesh qeveritare dhe joqeveritare si dhe agjenci të pavarura. Takimi u udhëhoq nga kryetari i Komitetit, Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili theksoi se si forum që mbledhë të gjitha institucionet përkatëse për mbrojtjen e fëmijëve nga puna dhe punët e rënda, Komiteti është dëshmuar si një institucion i vlefshëm për bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional.
Ministri Abrashi po ashtu potencoi se kuadri ligjor për adresimin e punës së fëmijëve është i kompletuar dhe kapaciteti i institucioneve në nivel qendror dhe lokal është në nivelin e duhur për të trajtuar problemin. Në përfundim të fjalës së tij Ministri Abrashi tha se megjithatë sfida mbesin duke marrë parasysh që dukuria e fëmijëve të angazhuar në punë të rënda dhe të rrezikshme është prezente në vendin tonë. Kjo na detyron për zbatim të ligjeve përkatëse, funksionim të duhur institucional si dhe koordinim me kohë dhe efikas mes institucioneve përgjegjëse për detyrat e tyre specifike, përfundoi Ministri Abrashi.
Komiteti për Parandalimin dhe Eliminimin e Punëve të Rënda të Fëmijëve në Kosovë u dakordua që në mbledhjen e radhës ta diskutojë Strategjinë dhe Plan-veprimin për Parandalimin dhe Eliminimin e Punëve të Rënda të Fëmijëve për periudhën e ardhshme që fillon me 2017.
Mbledhja e Komitetit sot u mbajtë në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare Kundër Punëve të Rënda të Fëmijëve e cila shënohet këtë të dielë, me 12 qershor. Komiteti mbledhë rreth vetes një numër të madh institucionesh si: MKRS, MAShT, MBPZhR, MSh, MD, MPMS, MF, Policinë e Kosovës, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Këshillin Ekonomik Social, OJQ Terres des Hommes, dhe Inspekoratin e Punës.