Mbahen Forume me autoritetet komunale mbi zhvillimin buxhetor komunal
Prishtinë, 26 gusht - Ministria e Financave në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, gjatë kësaj jave, nga data 22 gusht deri më 26 gusht, ka mbajtur Forumet me autoritetet komunale mbi zhvillimin e procesit buxhetor komunal 2017-2019 me Regjionin e Prishtinës, Regjionin e Mitrovicës, Regjionin e Pejës, Regjionin e Prizrenit, si dhe Regjionin e Gjilanit.
Gjatë këtyre forumeve zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe zyrtarët komunalë kanë diskutuar për sfidat kryesore/ çështjet e komunave në lidhje me procesin buxhetor, për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi financat e pushtetit lokal, për komunikimin dhe bashkëpunimin e Ministrive të linjës me Komuna, si dhe për mbështetjen e organizatave/ institucioneve ndërkombëtare.
Zyrtarët e Ministrisë së Financave gjatë këtyre forumeve bënë të ditur se sa i përket të hyrave vetanake komunale para disa muajsh është nënshkruar një vendim, ku është formuar një grup punues për hartimin e kritereve për projeksionin e të hyrave vetanake komunale, ne kemi pasur aty përfaqësues të disa institucioneve dhe jemi munduar që të përcaktojmë disa kritere. Gjithashtu, e kemi diskutuar edhe me kolegjiumin e Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe kolegjiumin për çështje të financave të pushtetit lokal.
Ata gjithashtu ju sqaruan zyrtarëve komunal supozimet dhe parimet mbi të cilat janë bazuar projeksionet buxhetore 2017-2019 si dhe kërkuan nga komunat që të bashkëpunojnë në zhvillimin e konceptit për një zhvillim ekonomik lokal të qëndrueshëm në dritën e ndryshimeve të pritura sa i përket ligjit të financave të pushtetit lokal.
Ministria e Financave ka një komunikim dhe bashkëpunim të rregullt me komunat, andaj pjesë e këtij komunikimi të rregullt janë edhe këto forume, të cilat bëhen më qëllim të zhvillimit të procesit buxhetor komunal.
Departamenti i Buxhetit në Ministrinë e Financave në mbështetje të asistencës teknike- financiare nga Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar forume me autoritetet komunale që nga periudha 2006 2016. Në forumet e mbajtura fokus kryesor kanë qenë zhvillimi i procesit buxhetor komunal. Reformat mbi buxhetimin programor, avancimin e konceptit të planifikimit të projekteve shumëvjeçare, si dhe ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin efikas financiar në nivel lokal.