Martonyi përjashtoi mundësinë e falimentimit të shtetit hungarez
Athinë, 14 janar - Ministri hungarez i Ekonomisë, Janos Martonyi, përjashtoi mundësinë e një falimentimi të shtetit hungarez në një intervistë për të përditshmen austriake "Kurier".
"Falimentimi i shtetit përjashtohet totalisht", deklaroi Martonyi, ndërkohë që vendi i tij po negocion për një kredi pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN.
"Do të arrijmë në një rezultat sa më shpejt që të jetë e mundur. Bisedimet do të sjellin rezultat", vazhdoi ministri i cili nuk dha hollësi lidhur me shumën e ndihmës nga FMN-ja.
"Kjo nuk do të jetë pozitive vetëm për Hungarinë, por edhe për të gjithë zonën euro dhe për të gjithë Bashkimin Evropian", shtoi Martonyi.
Qeveria e kryeministrit konservator Viktor Orban ka ndërmarë një politikë ekonomike që ka sjellë muajt e fundit rënien e madhe të fiorintës dhe rritjen e përqindjes së obligacioneve, gjë që ka çuar në rënien e thellë të financave publike.
Hungaria ka marrë në vitin 2008 një hua prej 20 miliardë euro nga FMN-ja, Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore, që i bëri të mundur shpëtimin nga falimentimi.