15 Nëntor 2024

Marrëveshje për trajnimin në punë të 600 punëkërkuesve

Prishtinë, 23 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Odes Ekonomike të Kosovës dhe Odes Ekonomike Amerikane në Kosovë për projektin e trajnimit në punë me qëllim të krijimit të mundësive të reja të punësimit për punëkërkuesit dhe të papunët e rinj.

Nga ky projekt, pritet të përfitojnë 600 punëkërkues të rinj në të gjitha komunat e Kosovës, ndërkaq 2/3 e kostos financiare të projektit do t’i mbulojë Ministria ndërsa pjesën tjetër bizneset.

Pas takimit me dhjetëra përfaqësues të bizneseve të pranishëm në këtë ngjarje, kryeministri Isa Mustafa vlerësoi lartë këtë marrëveshje, e cila do të implementohet nga bizneset, e të cilat, siç u shpreh kryeministri, po bartin një pjesë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik.

“Është kjo një fushë e cila është mirë që është rregulluar kështu si sferë e marrëveshjes ndërmjet odave ekonomike dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, sepse këta më së miri e dinë së bashku me bizneset se si ne duhet ta trajtojmë procesin e punësimit dhe si ne duhet t’i përgatisim të punësuarit që nuk kanë përvojë, që ata të bëjnë punën për të cilën kanë nevojë bizneset tona."

"Natyrisht se ne kemi pasur kritika se kemi një mospërputhshmëri të sistemit të arsimit edhe të mesëm edhe të lartë me nevojat e bizneseve, përkatësisht me nevojat e ekonomisë."

"Ne nuk mund të presim përderisa e bëjmë harmonizimin e plotë të këtyre sistemeve të arsimit dhe të tregut të punës, por duhet bashkërisht të punësojmë, në mënyrë që njerëzit e rinj t’i përgatitim dhe të jenë në gjendje ta bëjnë punën për të cilën ata pranohen”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa më tutje theksoi se është një ndarje evidente e mjeteve edhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale edhe pjesëmarrja e bizneseve prej rreth 270 mijë euro.

“Mirëpo është premtimi i ministrisë dhe bizneseve që ne duhet të vazhdojmë edhe më tutje me këtë aktivitet, në mënyrë që të gjenerojmë më shumë punësim dhe që ky punësim të jetë produktiv."

"Të jetë në interes të atyre që punësohen, por edhe të jetë në interes të bizneseve të cilat e marrin një pjesë të barrës në këtë proces”, tha kryeministri Mustafa, duke i bërë thirrje të gjithëve që t’i bashkëngjiten këtij aktiviteti.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, theksoi se kjo marrëveshje ne vetë nënkupton ngritjen e shkathtësive dhe njohurive të punëkërkuesve dhe të papunëve afatgjatë në tregun e punës.

“Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ata të rinj që të marrin një praktikë në punë dhe varësisht nga suksesi të cilin e tregojnë dhe nga investimet e kompanive në këtë rast, të mbesin në punë, apo të fitojnë edhe kontrata”, tha ministri.

Ministri Abrashi tha se 2/3 e kostos financiare të projektit do t’i mbulojë ministria ndërsa pjesën tjetër bizneset.

“Me këtë marrëveshje ne synojmë të përfshijmë në trajnim në punë diku rreth 600 punëkërkues. Varësisht nga suksesi i marrëveshjes dhe implementimi ne me dëshirë do të rrisim numrin si dhe kohëzgjatjen”, tha ministri Abrashi.

Ai më tej tha se ky është një vazhdim i dialogut të Qeverisë me odat ekonomike dhe bizneset duke shprehur besimin se kjo nuk do të jetë marrëveshja e fundit që do ta arrihet me biznese, duke iu referuar faktit se sektori privat është ai që gjeneron zhvillim dhe vende të punës.
 
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se kjo është një ditë e rëndësisë së veçantë.

“Po dëshmohet se prioritet i prioriteteve duhet të jetë zhvillimi ekonomik dhe përmes zhvillimit ekonomik të kemi stabilitet social. Ky hap i Ministrisë së Punës është edhe një mbështetje që barra e punësimit të mbështetet edhe nga institucionet, që sektori privat të jetë ai që do të investoj në edukim, do të ketë një mundësi të selektimit, të motivimit të të rinjve për punë dhe të transferit të përvojave dhe dijenisë së tyre”, tha Gërxhaliu.

Ai po ashtu theksoi se vetë fakti që 2/3 e kostos mbulohen nga institucionet vendore, është një dëshmi se papunësisë i është shpallur luftë e përbashkët.
 
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, vlerësoi lartë rëndësinë e kësaj iniciative.

“E para sepse bizneset gjithmonë ankohen në fuqinë punëtore dhe në shkathtësitë në tregun e punës të disponueshme në Republikën e Kosovës. Kjo do të ishte është një mundësi e mirë që ata përmes marrjes së praktikantëve dhe përmes këtij procesi t’u mundësojnë atyre përvojë të mirë të punës praktike, ua mësojnë edhe shkathtësitë që ata kanë nevojë."

"Arsyeja e dytë është se për praktikantët, apo studentët e rinj, të cilëve shpesh u mungon përvoja dhe kanë vështirësi në sigurimin e vendeve të punës, kjo është mundësi e mirë që ata të krijojnë një përvojë profesionale në çfarëdo organizate”, tha Zeka.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)