Marrëveshja për IBM nuk parasheh përjashtime doganore
Prishtinë, 6 dhjetor - Kreu i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica ka thënë sot se janë bërë të gjitha përgatitjet sa i përket aspektit doganor për zbatimin marrëveshjes për menaxhimin integruar të kufijve.
Ai i tha Radio Kosovës se nuk ka marrë kurrfarë udhëzimi përveç atyre që parasheh kodi doganor i Kosovës. Sipas tij vendi është një zonë doganore dhe ligji do të zbatohet për të gjitha mallrat që hyjnë në Kosovë pa kurrfarë përjashtimi.
Marrëveshja për menaxhimin integruar të kufijve me Serbinë sipas autoriteteve kosovare nuk parasheh përjashtime doganore për serbët e veriut.Kreu i Doganave të Kosovës Naim Huruglica ka thënë se deri më tani nuk ka marrë ndonjë udhëzim që bën përjashtime për ndonjë kategori qytetarësh.
Kjo është marrëveshje midis dy shtetesh dhe ne nuk kemi marrë kurrfarë udhëzimesh që janë jashtë kodit doganor të Kosovës. Kosova ka një sistem unik doganor që aplikohet për çdo qytetar të Kosovës apo të huaj që fut mallra që i nënshtrohen taksës doganore. Pra unë nuk kam asnjë instruksion për ndonjë përjashtim dhe ne do të veprojmë njësoj si me të gjitha shtetet tjera, ka thënë Huruglica.
Një ditë më herët mediat në Serbi kanë cituar kryeministrin Ivica Daqiq të ketë thënë se serbët e veriut do vazhdojnë të kalojnë kufirin me dokumente dhe tabela të vjetra të makinave, të lëshuara nga Serbia dhe nuk do të paguajnë doganë për mallrat që fusin në Kosovë të dedikuara për banorët e veriut.
Megjithatë Huruglica ka thënë se nuk do të ndodhë kështu. Ndërsa EULEX-i do të ketë rol për monitorimin marrëveshjes.
Nuk ka përjashtime për një vendkalim kufitar ose një grup qytetarësh mund të kenë trajtim tjetër. EULEX ka për rol të kujdeset për monitorimin e marrëveshjes ndërshtetërore. Ndërsa doganieret e Kosovës do të aplikojnë rregullat e kodit doganor të Kosovës njësoj sikurse në vendkalimet tjera kufitare, ka thënë Huruglica për Radio Kosovën.
Megjithatë ajo që është parë deri më tani tregon se marrëveshja për menaxhimin integruar të kufijve me Serbinë dallon nga ajo që Komisioni Evropian ka përcaktuar si koncept për vendet e Ballkanit perëndimor.
Burime të Radio Kosovës thonë që marrëveshja për menaxhim të integruar lë jashtë dy nga çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me këtë çështje përcaktimin e vijës kufitare dhe njohjen e dokumenteve shtetërore.
/rtk/