Marrëveshja franko-gjermane çelësi i borxhit grek
Paris, 4 shkurt - Ministri francez i financave tha se një marrëveshje franko-gjermane është çelësi për të arritur një marrëveshje që do të ndihmonte Greqinë dhe do të siguronte që vendi të kapërcente krizën e borxheve.
Parisi ishte qyteti i parë evropian që ministri grek Yanis Varoufakis vizitoi të dielën në një përpjekje për të kërkuar më shumë kohë për të zgjatur marrëveshjen ekzistuese me BE-në ose për të rinegociuar një program të ri.
Franca, e cila ka problemet e veta buxhetore dhe po kërkon më shumë fleksibilitet nga regullat buxhetore të BE-së, ka ofruar të lehtësojë bisedimet e borxhit me qeverinë greke.
Por ministri i financave Michel Sapin i tha agjencisë Reuters, pas takimit me ministrin e ri grek të financave Yanis Varoufakis se një marrëveshje franko-gjermane është jetësore për çdo vendim.
Nuk flasim për stimulimin e ekonomisë përmes rritjes së shpenzimeve por për qëndrueshmëri me investime që në të njëjtën kohë do të modernizojnë ekonomitë. Mendoj se kjo është zgjidhja. Të gjitha vendet po e diskutojnë dhe sigurisht edhe Franca dhe Gjermania. Asgjë e fuqishme dhe e qëndrueshme nuk mund të bëhet në Evropë pa një marrëveshje mes Francës dhe Gjermanisë.
Por Parisi dhe Berlini kanë qëndrime të ndryshme. Ndërsa Gjermania ka thënë se nuk ka arsye që trojka të rinegociojë me Greqinë, ministri Sapin tha se mund të përdoren mjete të reja.
Kërkesa e Greqisë për më shumë kohë për të negociuar një marrëveshje të re me BE-në është e arsyeshme përsa kohë paraqet bazat për një plan reformash që mund të forcohet gradualisht thotë ministri francez.
Ky nuk është një program i njëanshëm, vendimi nuk merret vetëm nga Greqia. Kjo sigurisht nuk do të jetë e mundur pasi Greqia është anëtare e eurozonës; Banka Qëndrore Evropiane është banka qëndrore e Greqisë dhe Athina është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar kështu që ka detyrime për të respektuar. Pra është çështje dialogu. Atëherë, fakti që Greqia, qeveria e saj e re ka nevojë për pak hapësirë, për pak kohë, duket e natyrshme.
Zoti Sapin tha se Greqia nuk do të lejohet të bëjë çtë dojë. Athina thotë se nuk do një zgjatje të paketës 240 miliardë eurosh të shpëtimit kur ajo skadon më 28 shkurt por një muaj kohë për të ofruar propozime dhe më shumë kohë për të arritur një marrëveshje.
Hapi i parë do të ishte një marrëveshje me Bankën Qëndrore Evropiane për ndihmën me likuiditetin, dhe më pas Greqia duhet të pranojë ose një zgjatje të marrëveshjes ekzistuese me partnerët evropianë ose një program të ri.
Ministri Sapin minimizoi një koment të bërë nga ministri britanik i financave George Osborn se një ngërç mes Greqisë dhe eurozonës për borxhin grek po bëhet shpejt rreziku më i madh i ekonomisë globale.
Parisi ishte qyteti i parë evropian që ministri grek Yanis Varoufakis vizitoi të djelën në një turne që përfshin edhe Berlinin. Kryeminstri grek Alexis Tsipras pritet të takohet me presidentin francez Francois Hollande të mërkurën në kryeqytetin francez.