Marrëveshja e re me FMN-në në muajin mars
Prishtinë, 13 janar - Marrëveshja e re e Qeverisë së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të nënshkruhet në fillim të muajit mars të këtij viti.
Kështu kanë bërë të ditur burime të KosovaLive përbrenda Ministrisë së Financave (MF). Porse çfarë formati do të ketë marrëveshja ende nuk dihet pasi që palët ende nuk janë ulur për të biseduar.
Për nënshkrimin e marrëveshjes së re, i njëjti burim ka thënë se edhe ministri i Financave, Besim Beqaj, ka pohuar se në fillim të gjysmës së parë të këtij viti do të nënshkruhet marrëveshja.
Ministri Besim Beqaj ka thënë se në muajin mars do të nënshkruhet marrëveshja e re me FMN-në, ka potencuar burimi për KosovaLive.
Gjithnjë sipas të njëjtit burimi, FMN-ja ua ka tërhequr vërejtjen qeveritarëve se marrëveshja duhet të arrihet para zgjedhjeve parlamentare të cilat pritet të mbahen këtë vit.
Derisa në pyetjet e dërguara Ministrisë së Financave lidhur me marrëveshjen e re me FMN-në, zyrtarët e kësaj ministrie kanë konfirmuar se janë në përgatitje të një programi të ri, por nuk kanë saktësuar se kur do të arrihet dhe çfarë modaliteti, apo formati do të ketë programi.
Siç dihet Qeveria e Kosovës e ka përfunduar me sukses programin 20 mujor Stand-By me FMN-në, në fund të dhjetorit 2013. Ndërsa tani jemi në përgatitje e sipër për të filluar një program të ri, i cili do të bëjë vlerësimin pjekurisë institucionale të vendit tonë, thuhet në përgjigjet e Zyrës për komunikim publik të Ministrisë së Financave.
Edhe në letrën e qëllimit të mirë që Qeveria i ka dërguar FMN-së, konfirmon gatishmërinë për hyrje në një program të ri, i cili finalizohet gjatë pjesës së parë të vitit 2014.
Ne jemi të kënaqur për të sjellë këtë program në një përfundim të suksesshëm, ne kemi në plan për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me FMN dhe synojmë të diskutojmë mundësinë e një programi pasues në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014″, thuhet në letrën e qëllimit të mirë.
Lidhur me këtë një delegacion i misionit të FMN-së të përbërë prej tre zyrtarësh të mërkurën do të arrijnë në Prishtinë të cilët do të qëndrojnë tri ditë.
Ata gjatë qëndrimit, përveç tjerash do të shohin se sa është edhe disponimi i Qeverisë së Kosovës për futjen në programin e ri me FMN-në.
Buxheti seriozisht mund të rrezikohet nëse qeveria nuk do të ketë program me FMN-në, i cili deri tani ka luajtur rolin e kujdestarit për mos futjen në krizë buxhetore. Derisa më 26 dhjetor të këtij viti është përmbyllur programi i parë 20 mujor me FMN-në Stand-by. Nga kjo marrëveshje Kosova ka marrë rreth 78 milionë euro të drejta speciale të tërheqjes.