Marrëveshja e munguar Kosovë - Zvicër për sigurimet shoqërore
Prishtinë, 9 gusht - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti konferencë për media në lidhje me çështjen e sigurimeve shoqërore të shqiptarëve dhe marrëveshjen e munguar Kosovë-Zvicër.
Qytetarët e Kosovës që kanë punuar në Zvicër dhe që në ndërkohë janë kthyer në vendlindje, që nga marsi i vitit 2010 nuk marrin pensionet e tyre të pleqërisë, ato të trashëgimtarëve dhe pensionet e invaliditetit, edhe nëse ata kanë punuar me dekada të tëra në Zvicër dhe kanë paguar rregullisht kontributet në arkat e sigurimeve shoqërore.
Gjithashtu, që nga kjo kohë (1 prill 2010) nuk paguhen edhe shtesat familjare dhe ato te fëmijëve që jetojnë ne Kosovë.
Përkundër kërkesave të shumta të qytetarëve të dëmtuar të Kosovë, edhe pas gati katër viteve kur është adresuar kjo çështje nga Zvicra zyrtare, ende nuk kanë filluar negociatat për një Marrëveshje të re.
Anëtari i Komitetit të Vetëvendosje!-s për Mirëqenie Sociale, Osman Osmani, tha se Gjykata Federale në Zvicër, si instanca më e lartë gjyqësore, para disa javësh në një rast ka vendosur të mos paguaj pensionet e pleqërisë dhe ato të invaliditetit qytetarëve të Kosovës që kthehen të jetojnë në Kosovë.
Vendimi godet jo vetëm invalidët e punës, por posaçërisht qytetarët që kanë punuar me vite të tëra në Zvicër dhe që janë larguar nga ky vend para moshës së pensionimit, duke llogaritur që kur të arrijnë moshën e merituar të pleqërisë të marrin edhe pensionet e tyre të fituara me shumë mund e sakrificë.\"
\"Mungesa e zbatimit të Marrëveshjes diskriminon kështu mijëra qytetarë që sot jetojnë në Kosovë e që për vite të tëra kanë derdhur kontributet në arkën e sigurimit të pleqërisë e trashëgimtarëve në Zvicër duke kontribuar kështu si në mbarëvajtjen e sigurimeve shoqërore në Zvicër ashtu edhe në Kosovë përgjatë rrjedhave të rëndësishme ekzistenciale dhe shtet-ndërtuese, tha Osmani.
Ai shtoi me tutje se Qeveria e Kosovës, duke mos u përgjigjur në kohë e në plotni kërkesave që kishte shtruar Qeveria e Zvicrës para anulimit të marrëveshjes, i dha arsyetim të mjaftueshëm kësaj të fundit për ta anuluar këtë Marrëveshjen mbi Sigurimet Shoqëror ne raport vetëm me Kosovën.
Lëvizja Vetëvendosje! qysh atëherë pati mbështetur nismën për masivizimin e peticionit të sindikatës UNIA për këtë çështje, të përkrahur edhe nga BSPK-ja, PS dhe PSD e Kosovës. Interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, kudo që ata punojnë, janë edhe interesa tonat.\"
\"Qytetarët e Republikës së Kosovës që punojnë në Zvicër duhet të kenë të drejtë ta zgjedhin vendin se ku duan të jetojnë pas pensionimit, dhe këtë zgjedhje të tyren nuk duhet ta bëjnë nën kushtet e përkeqësimit financiar. Kjo, në të vërtetë, nuk është zgjedhje por një imponim i detyrueshëm, theksoi Osmani.
Ai përmendi marrëveshjet e dëmshme që po i nënshkruan Qeveria e Kosovës në dëm të qytetarëve të vet, si Marrëveshja për riatdhesim me shtetin e Zvicrës, e nënshkruar më 3 shkurt të viti 2010 nga ish-ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti e cila ka hyrë në fuqi më 1 qershor të po atij viti.
Me këto marrëveshje dhe veprime Qeveria e Kosovës po bart problemet sociale nga Zvicra dhe vendet e BE-së në Kosovë. Secila marrëveshje duhet të përfshijë interesa të ndërsjella. Qeveria e Kosovës nuk bënë as përpjekjen minimale që marrëveshjet si kjo për riatdhesim dhe bashkëpunim policor, të strukturoren në atë mënyrë që ligjërisht të mbrojnë shtetasit e Kosovës., tha në fund Osmani.
Kuvendi i Kosovës, me 16 shtator të vitit 2010, fal angazhimit të deputetit të atëhershëm Emrush Xhemaili dhe e mbështetur njëzëri nga të gjithë deputetët e Kuvendit të kaluar të Kosovës, pati obliguar Qeverinë e Kosovës që në politikat sociale qeveritare këtë marrëveshje ta trajtoj si prioritet. Përkundër këtij obligimi qeveria e re e Kryeministrit Thaçi nuk ndërmori ndonjë hap përmbajtjesor dhe serioz për ndryshimin e situatës.
Gjatë kësaj konference, Emrush Xhemajli përmendi të tetë këto rekomandime, duke ardhur në përfundim se ato nuk janë realizuar, përkundrazi bile janë injoruar tërësisht.
Ai tha se se qe më shumë se tre vite, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk e ka pasur këtë prioritet në kuadër të prioriteteve të veta.
Megjithëse ka kaluar kohë e mjaftueshme Qeveria nuk ka arritur të procedojë gjithë rregullativën ligjore për të qenë e gatshme që të rifillojë negocimin e marrëveshjes. Është formuar grupi punues që merret me çështjet që kanë të bëjnë me koordinimin e aktiviteteve, që e bëjnë të mundur arritjen e Marrëveshjes Zvicër-Kosovë për Sigurimet Shoqërore, por çka ka ndodhur? Sa herë nuk do të kryej një punë Qeveria e Kosovës me dëshirë fshihet prapa grupeve ndërministrore. Fatkeqësisht edhe me këtë grup është duke ndodhur e njëjta gjë: joefikasiteteti dhe mungesa e rezultateve, tha Xhemajli.
Lidhur me takimin e lartë qeveritar Kosovë-Zvicër (pika 6), Xhemajli tha se Kosova nuk ka arritur të bëjë kurrfarë takimi të tillë. As Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës për zgjidhjen adekuate të përkohshme, deri në arritjen e marrëveshjes së re (pika 7), nuk është bërë deri tash.
Po të ishte në nivel të detyrës Qeveria e Kosovës do të duhej që në vend të marrëveshjeve të dëmshme si ajo me Serbinë, të përgatiste një pako ligjesh për marrëveshjen që lehtëson dhe ndihmon jetën e qytetarëve tanë dhe ato do të duhej të kaloheshin në mënyrë të përshpejtuar që të fillonin dhe mbaronin negociatat për marrëveshjen Kosovë-Zvicër për sigurimet shoqërore, u shpreh Xhemajli.
Për këto 4 vite qeveria e Kosovës nuk bëri pothuajse asgjë për këtë Marrëveshje. Kjo, tregon paaftësinë dhe papërgjegjësinë e saj. Gjyqi Administrativ Federal në të gjitha rastet u ka dhënë të drejtë shtetasve të Kosovës në ankesat e tyre dhe ka kërkuar që marrëveshje të zbatohet edhe më tej.
Mërgimtarët ftohen që të mobilizohen dhe bashkë me partnerë e dëshmuar dhe të tjerë të mundshëm gjithandej të angazhohen dhe të luftojnë për të drejtat e tyre legjitime me të gjitha mjetet e mundshme demokratike.