Marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve duhet të forcohen
Prishtinë, 16 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Ministrin e Financave të Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj.
Në këtë takim, presidenti Thaçi dhe ministri Ahmetaj biseduan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, sidomos në lehtësimin e të bërit biznes dhe në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare.
Presidenti Thaçi tha se duhet të ketë një dinamizëm në shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve duhet të forcohen edhe më tej përmes bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Një bashkëpunim i tillë do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik në të dy vendet tona, ka theksuar presidenti Thaçi, duke shtuar se ka rritje të shkëmbimeve tregtare, por ato ende nuk janë në nivelin e dëshiruar.
Nga ana tjetër, Ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, pasi uroi presidentin Thaçi për postin e ri, për rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësimet në UEFA dhe FIFA, tha se në kuadër të përpjekjeve për të dinamizuar bashkëpunimin, edhe sot do të mbahet një tryezë e përbashkët, që në fokus ka dialogun ndërshtetëror dhe të bërit biznes, me theks të veçantë në sfidat e qasjes në tregjet tona.
Presidenti Thaçi theksoi se ka hapësirë për të rritur bashkëpunimin në shumë nënsektorë të ekonomisë dhe se Kosova e Shqipëria gjithnjë kanë shfaqur gatishmëri për ti tejkaluar vështirësitë tregtare.