Maqedonia thellon borxhin publik
Shkup, 12 nëntor - Maqedonia deri në fund të këtij viti do të marrë borxh të ri prej 500 milionë eurosh, i cili do të duhet të kthehet brenda dhjetë viteve të ardhshme.
Në vendimin e Ministrisë së Financave të qeverisë maqedonase, theksohet se euro-obligacioni prej gjysmë miliardi eurosh do të përdoret për mbështetjen e buxhetit të vitit 2015 dhe atë të vitit 2016, si dhe për rifinancimin e obligimeve për pagesën e borxhit shtetëror.
Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni konsiderojnë se marrja e borxhit në vlerë prej gjysmë miliardi euro, në formë të euro-obligacioneve, do të ndikojë jo pak në ekonominë e vendit, me rritjen e borxhit publik.
Alaudin Zeqiri, ekspert i ekonomisë thotë se marrja e borxhit në fjalë nuk ka të bëjë me politikat zhvillimore, por me mbulimin e deficitit buxhetor, dhe kjo sipas tij do të ketë ndikim negativ në xhepin e çdo qytetari të Maqedonisë.
Qeveria e Maqedonisë është duke marrë hua për të mbuluar deficitin buxhetor dhe jo për të realizuar politikat zhvillimore. Huazimi në formën e euro-obligacioneve për të mbuluar deficitin buxhetor paraqet një mekanizëm tepër negativ, që nuk gjen vend në praktikat e vendeve të BE-së; madje kjo formë e huazimeve nuk preferohet as për vendet të cilat aspirojnë integrimin në familjen evropiane\", thotë Zeqiri, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Nga ana tjetër, ish guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev, thotë se mungesa e mjeteve të gatshme përmes investimeve të huaja bën që qeveria të detyrohet të marrë hua përmes euro-obligacioneve.
Kriza politike, mungesa e një sistemi stabël politik, mungesa e demokracisë funksionale, tregu jo i qëndrueshëm, pra të gjitha këto ndikojnë që në Maqedoni të mos vijnë investitorë të huaj, dhe në mungesë të investimeve të huaja, përkatësisht mungesën e parave të gatshme ky pushtet në vazhdimësi e ka mbuluar përmes marrjes së kredive, thotë zoti Goshev.
Kundër marrjes së huasë përmes euro-obligacioneve është shprehur edhe partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate, sipas së cilës Maqedonia ka kohë që e ka kaluar kufirin e borxhit, duke u lënë gjeneratave të reja shumë borxhe për ti shlyer.
Sofia Kunovska, në foltoren e parlamentit të Maqedonisë ka theksuar se kryeministri Nikolla Gruevski, para largimit nga pushteti, tenton ti fusë qytetarët në borxh edhe më të thellë.
Duhet pranuar para qytetarëve se ky shtet, si pasojë e politikave të gabuara ekonomike, jeton në hua. Por, një gjë duhet të bëhet e qartë se kush mban përgjegjësinë për këto politika të gabuara, duke shpenzuar vetëm për projekte jokapitale. Pyetja është kush do t`i kthejë këto mjete, më saktësisht në çfarë mënyre do t`i kthejë këto mjete, ka deklaruar zonja Kunovska.
Kritikave të opozitës se Maqedonia rrit borxhin duke investuar në projekte jokapitale, autoritetet e qeverisë u janë përgjigjur se Maqedonia, krahasuar me vendet e rajonit radhitet në fund të listës për sa i përket borxhit publik.
Ndryshe, pa e llogaritur marrjen e huasë që planifikon ta marrë shteti maqedonas, borxhi publik i Maqedonisë është 3 miliardë e 941 milionë euro ose 43.9% nga Prodhimi Bruto Vendor.