Maqedonia shqyrton kundër-masat për Kosovën
Shkup, 8 shtator - Qeveria e Maqedonisë po shqyrton mundësinë e aplikimit të masave kundër Kosovës, pas vendimit të kësaj të fundit për aplikimin e embargos për disa prodhime maqedonase.
Burime qeveritare kanë bërë të ditur se Qeveria e Maqedonisë tashmë ka hartuar vendimet për vendosjen e taksave për shtetasit e Kosovës që do të udhëtojnë në Maqedoni.
Plani i qeverisë parasheh taksa rrugore prej 2 eurosh për çdo qytetar që kalon kufirin, taksë prej 5 eurosh për makina, ndërsa për autobusët dhe kamionët taksat do të sillen prej 1 deri në 20 euro.
Zyrtarë të lartë të qeverisë kanë bërë të ditur për mediat se vendimet e tilla janë miratuar, por zbatimi i tyre do të nisë vetëm në rast se autoritetet në Prishtinë nuk pezullojnë vendimin e tyre dhe fillojnë bisedimet me Qeverinë e Maqedonisë për gjetjen e një zgjidhjeje të plotë të situatës.
Nga Qeveria maqedonase kanë thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me Prishtinën zyrtare, por nuk jepen detaje mbi qëndrimet e palëve.
Masat ndëshkuese i kishte paralajmëruar vetë kryeministri Nikolla Gruevski dy ditë më parë, duke deklaruar se kabineti i tij po shqyrton të gjitha mundësitë pas vendimit të njëanshëm të Kosovës.
Zhvillimet e tilla në raportet mes dy shteteve kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Maqedonisë për ndalimin e importit të miellit nga jashtë, që ka përfshirë edhe Kosovën.
Si kundërpërgjigje ndaj këtij vendimi, Qeveria e Kosovës prej para dy ditësh ka vendosur embargo për disa prodhime të Maqedonisë.
/rel/