Maqedonia merr 480 milionë euro kredi nga FMN
Shkup, 9 dhjetor - Maqedonia të mërkurën ka përfunduar me sukses negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për linjën e re të kredisë, ku është arritur marrëveshje për shfrytëzimin e 480 milionë eurove për dy vitet e ardhshme.
Vendimin do ta konfirmojë Bordi i Drejtorëve të FMN-së në janar të vitit të ardhshëm.
Lajmi bëhet publik nga mediat maqedonase të cilat theksojnë se vendimi i bë publik të mërkurën në një konferencë të përbashkët për shtyp, mes zëvendëskryeministrit dhe ministër i Financave, Zoran Stavreski, shefit të misionit të FMN-së për Maqedoni, Wes McGry dhe guvernatorit të Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev.
Maqedonia është vendi i parë anëtar i FMN-së që e shfrytëzon këtë instrument të ri, i cili është dedikuar për vende me politika të shëndosha, ndërkaq të cilat nuk kanë nevojë nga financimi, por përballen me rreziqe të cilat mund të çonin deri te nevoja e tillë.
Linja kreditore u jep siguri vendeve për të pasur mjete të mjaftueshme të cilat do të mund t`i tërheqin, në mënyrë që ta ruajnë stabilitetin.
Kontraktimi i linjës të kredisë ndihmon edhe në përforcimin e besimit dhe mundëson qasje më të lehtë deri tek mjetet e tregjeve të kapitalit.