Maqedoni, Bie fuqia blerëse e qytetarëve
Shkup, 2 gusht - Qytetarët e Maqedonisë janë pesimistë lidhur me gjendjen ekonomike në vend.
Ata ankohen se fuqia blerëse e tyre ka shënuar rënie, në krahasim me vitin e kaluar. Nëse vitin e kaluar, furnizimi ditor për bukë, qumësht, mish, zarzavate, fruta dhe pije kushtonte rreth 500 denarë, këtë vit për të njëjtat para nuk mund të blihen të gjitha produktet.
Një pjesë e qytetarëve thonë se çmimet janë evropiane kurse standardi ballkanik.
Shumë e kemi të vështirë. Çmimet tek ne janë njëlloj sikur në vendet e jashtme.
Vitin e kaluar ishte pak më mirë, këtë vit është më vështirë dhe më shtrenjtë. Shumë më pak mundemi të blejmë në krahasim me vitet e kaluara.
Rënia e fuqisë blerëse të qytetarëve konfirmohet edhe nga rezultatet e fundit të Entit shtetëror për statistikë. Në anketën e realizuar, qytetarët kanë vlerësuar se për dallim nga viti i kaluar, blejnë vetëm atë që është e domosdoshme. Përveç qytetarëve, në anketën e Entit të statistikës ankohen edhe tregtarët e shitjeve me pakicë.
Ata thonë se kërkesa për çdo ditë shënon rënie, kurse mallrat nëpër magazina u shtohen. Tregtarët thonë se për dallim nga viti i kaluar, këtë vit shesin vetëm produktet që janë për konsum ditor.
Ata thonë se shitja e dobët është rezultat i rritjes së çmimeve të një pjese të produkteve në tremujorin e parë të vitit, por edhe për shkak të xhepit gjithnjë e më të cekët të qytetarëve.