MAPL dhe BB ndihmojnë komunat, pajisje në vlerë 100 mijë dollarë
Prishtinë, 23 mars - Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në bashkëpunim më Bankën Botërore (BB) dorëzojnë sot për komunat e Republikës së Kosovës, grandin për Teknologji Informative.
Komunat përfituese të këtij grandi janë; Istogu, Podujeva, Prishtina, Juniku, Kamenica, Ferizaj, Shtime, Kaçanik, Hani Elezit, Mitrovica, Klina, Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Fushë Kosova dhe Vushtrria. Në ceremoni do të marrin pjesë Ministri i Administrimit të Pushteti Lokal z. Sadri Ferati, përfaqësues nga Banka Botërore dhe Kryetarët e Komunave.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) me qëllim të përmbushjes së objektivave strategjike të saj për ndërtimin e një administrate moderne dhe profesionale, është duke ndërmarr hapa konkret në ngritjen e infrastrukturës së teknologjisë Informative dhe komunikuese (TIK) në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Në këtë drejtim, MAPL-ja, është e përkushtuar me misionin e saj për avancimin e qeverisjes Lokale dhe për një shërbim sa më efikas dhe më afër qytetarit.
Pajisjet e Teknologjisë i dorëzohen komunave të cilat janë përzgjedhur në grupin e ngushtë të komunave përfituese si shenjë mirënjohje për bashkëpunimin efektiv që kanë treguar në funksionalizimin e sistemit Softueri për bashkëpunim e zyrave për shërbim të qytetarëve me portalin ministror dhe atë qeveritar.
Pajisjet në vlerë prej 100 mijë dollarëve përfshijnë kompjuter, Desktop PC, Priner i rrjetit dhe Laptop.