Manipulohen kriteret në tender
Prishtinë 27 shtator - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), ka mbajtur një tryezë të rrumbullakët me temën Përshtatja e Kritereve në Prokurimin Publik.
Pjesëmarrës në këtë debat ishin përfaqësues të institucioneve publike, bizneseve dhe organizatave të shoqërisë civile.
Merita Mustafa, Menaxhere e projektit për transparence në Prokurimin Publike ka thënë se përcaktimi i temës se sotme vjen si rezultat i pranisë së korrupsionit që në fazat fillestare të prokurimit publik, apo më konkretisht gjatë fazës së hartimit të kritereve.
Nga monitorimi ynë dhe nga raportimet e bizneseve të cilat i janë drejtuar organizatës tonë, kemi vërejtur se përshtatja e kritereve ndaj bizneseve të caktuara është një fenomen prezent dhe që shumë shpesh arrin që ta eliminoj konkurrencën në mënyrë të pa drejtë.
Ndërkaq reagimi dhe ndërmarrja e masave për të ndikuar në zvogëlimin e këtij problemi ende mungon.
Safet Hoxha, Kryetar i KRPP-së ka thënë se zyrtarët e prokurimit ndodhën në mes të përgjegjësisë nga zyrtarët e tjerë të institucioneve dhe shpesh herë padrejtësisht u drejtohet gishti për fenomene të caktuara.
Hartimi i kritereve teknike sipas tij nuk bëhet nga zyrtarët e prokurimit, por njësitë e kërkesës. Tek shumica e zyrtarëve të prokurimit sipas tij ka nivel të lartë të përgjegjësisë dhe profesionalizmit.
Problemi qëndron se në disa çështje përkundër përpjekjeve të KRPP-së dhe zyrtarëve të prokurimit, janë vetë krerët e këtyre institucioneve që ndikojnë tek zyrtarët.
Ndërkaq, Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar guxim nga ana e të gjithë akterëve për të folur hapur rreth korrupsionit në prokurimin publik, pasi që kjo dukuri është duke e dëmtuar rëndë buxhetin e vendit.
Sipas saj 20% të buxhetit të prokurimit e merr korrupsioni dhe kjo pjesë e njerëzve tani janë forcuar më shumë se gjyqësori dhe institucionet e tjera të rendit.
Fadil Berjani, biznesmen kosovar, ka thënë se bizneset e huaja po ikin nga Kosova pikërisht për shkak të korrupsionit dhe mitos që u kërkohet.
Ai ka denoncuar publikisht rastin e tenderit për prodhimin e banderolave nga AKPM-së, ku në bashkëpunim me një kompani Gjermane, përkundër se i plotëson të gjitha kushtet, tenderi anulohet në vazhdimësi, vetëm e vetëm për të mos e shpallur këtë kompani fituese.
Edhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë debat kanë nënvizuar rëndësinë e kontrollit më të shtuar të autoriteteve kontraktuese për shkak të një numri shumë të madh të devijimeve që janë paraqitur në procesin e prokurimit publik.
Të gjithë të pranishmit janë pajtuar se ka një numër shumë të madh të tenderëve ku kushtet janë të hartuara në atë mënyrë që të favorizojnë biznese të caktuara.
Ndër biznese është shtuar mos besimi në institucionet të cilat duhet të garantojnë ligjshmërinë e prokurimit publik, pasi ata vlerësojnë se këto institucione nuk po e kryejnë punën e tyre.
Gjatë debatit gjithashtu u kërkuan edhe propozimet konkrete nga ana e bizneseve për ta eliminuar këtë fenomen dhe njëkohësisht , u diskutua edhe gatishmëria e institucioneve përgjegjëse për ndërmarr hapa drejt eliminimit të kritereve favorizuese.