Mamusha të zbatoj rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm
Prishtinë, 28 shtator - Në kuadër të projektit të monitorimit të punës së ekzekutivit komunal të Mamushës, EC Ma Ndryshe gjatë muajit shtator ka shqyrtuar çështjen e të gjeturave në Raportin e Auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm mbi pasqyrat financiare të komunës së Mamushës për vitin 2012.
Ky Raport i Auditimit ka identifikuar dobësi në disa fusha të menaxhimit financiar, që duhet të adresohen nga Komuna e Mamushës.
Përfundimi i ZAP-it është se sistemi i kontrolleve të brendshme të Komunës nuk është përcaktuar dhe nuk është zbatuar siç duhet për të eliminuar dobësitë e dukshme.
Sa i përket të hyrave vetanake të Komunës së Mamushës ZAP ka gjetur mangësi në sistemin e faturimit, mbledhjen e të hyrave vetanake dhe dobësi në sistemin e automatizuar të faturimit.
Ndërsa te shpenzimet sfiduese mbetet çështja e prokurimit. Sipas ZAP-it shpenzimet për prokurimet nr. 626 12 017 236, 626 12 018 236 dhe 626 12 003 236, janë paraqitur si shpenzime kapitale, në vend të paraqitjes si shpenzime për mallra dhe shërbime, respektivisht sipas natyrës.
Nëse këto shpenzime do të kategorizoheshin në kategorinë e saktë, buxheti për mallrat dhe shpenzimet do të ishte tejkaluar për 11 mijë Euro, thuhet në Raportin e Auditimit.
Te subvencionet dhe transferimet ZAP ka gjetur se Komuna nuk ka politika të shkruara mbi subvencionet, që do të përmbanin kritere dhe procedurat për lejimin e subvencionit, derisa defekte ka pasur edhe te kategoria e Pasurive.
Si shqetësim tjetër që figuron në Raportin e ZAP-it është fakti se nga 11 rekomandime kryesore të paraqitura një vit më parë, vetëm një është zgjidhur dhe tre janë zgjidhur pjesërisht gjatë vitit 2012, derisa të tjerat mbeten për tu adresuar.
Në anën tjetër, me qëllim që të përmirësohet funksionimi i sistemit të menaxhimit financiar dhe i kontrolleve të brendshme, ZAP ka rekomanduar komunën e Mamushës që të sigurojë:
Një listë të plotë të pronave, ndërtesave dhe pajisjeve të Komunës;
Vendosjen e një sistemi automatik të faturimit për të gjitha llojet e taksave;
Marrjen e masave për të rritur mbledhjen e të hyrave nga taksat e ndryshme; dhe
Pajtueshmëri të plotë me Ligjin Nr. 04/L-042, Ligji për Prokurimin Publik në Kosovë.
Në raport ceket se menaxhmentit të Komunës i është ofruar mundësia të japin komentet për gjetjet tona të prezantuara në këtë raport dhe se menaxhmenti ka rënë dakord të bëjë të gjitha përpjekjet për ti adresuar të gjitha rekomandimet e ZAP-it.
Bazuar në të gjeturat dhe konstatimet e ZAP-it, EC Ma Ndryshe rekomandon komunën e Mamushës që të:
- Tregoj përkushtim në zbatimin e 9 rekomandimeve të paraqitura nga ZAP-i në raportin e fundit dhe rekomandimet e viteve të kaluara;
- Të krijoj një Komitet Auditimi dhe Departamentin e Auditimit të Brendshëm;
- Të përmirësoj standardet e qeverisjes së parasë publike dhe
- Lejoj kuvendarët e KK-së që të ushtrojnë kontroll dhe mbikëqyrje të shpenzimit të buxhetit komunal.