Mabetex ofron 200 vende pune për qytetarët e Mitrovicës
Mitrovicë, 3 janar - Kompania Mabetex, përkatësisht përfaqësuesi i saj për Kosovë, Islam Pacolli në një takim që zhvilloj me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, deklaroi se kompania që ai udhëheq brenda gjashtë mujorit të parë të vitit 2014 do ti punësoj 200 punëtorë nga Mitrovica.
Ai tha se ky kontingjent është për punëtorë të lëmive të ndryshme ndërtimore që janë paraparë të punësohen jashtë shtetit.
Siç dihet Mitrovica ka nivelin e varfërisë dhe papunësisë më të madhe në rajon, dhe ne si kompani, kemi vendos që sa do pak ta zbusim papunësinë në këtë qytet, ka deklaruar Pacolli. Ai tha se kjo është një ofertë fillestare dhe simbolike për qytetarët e Mitrovicës e po ashtu për kryetarin e ri të Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Sipas tij, pos këtyre 200 të punësuarve, muajve në vazhdim ata si kompani do vazhdojnë ti përkrahim edhe qytetarët, por edhe kryetarin e ri në punësimin e qytetarëve. Unë them se ky është vetëm një fillim i mbarë si për kryetarin ashtu për qytetarët e Mitrovicës në hapjen vendeve të lira të punës, gjegjësisht zbutjen papunësisë, ka shtuar ai.
Sipas Pacollit, lista e atyre 200 punëtorëve do të përgatitet nga zyra e kryetarit të Mitrovicës.
Në anën tjetër kryetari Bahtiri falënderoj përfaqësuesin e Mabetex-it dhe njëkohësisht shprehi kënaqësinë që kjo kompani sado pak po ndikon në zbutjen e varfërisë në Mitrovicë, përkatësisht në punësimin e njerëzve. Ne e falënderojmë z. Pacolli për këtë përkrahje dhe unë them se ky është vetëm fillimi në kuptim të hapjes së vendeve të lira punës, ka deklaruar Bahtiri.