Lute Credit Kosovo dhe Monego kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit
Prishtinë, 23 dhjetor - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se gjatë vitit 2019 sektorët që i ka nën përgjegjësi BQK-ja kanë performuar mirë.
Në konferencën përmbyllëse me gazetarë, Guvernatori Mehmeti ka bërë të ditur se sektori bankar edhe këtë vit vazhdoi me rritje të lartë të kreditimit, përmirësim të kushteve për qasje të sektorit privat në kredi, si dhe rritje të qëndrueshmërisë financiare.
Sipas Guvernatorit Mehmeti deri në fund të tetorit 2019, kreditë e sektorit bankar kanë arritur vlerën prej 2.98 miliardë euro. Rritja vjetore e kredive mbetet e lartë me normë vjetore prej 10%, përderisa burimi kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë depozitat, shuma e të cilave gjatë kësaj periudhe arriti në 3.75 miliard euro që paraqet një rritje vjetore mjaft të lartë prej 16%.
Ai ka theksuar se normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.5% nga 6.6% sa ishin në periudhën e njëjtë të viti të kaluar, gjë që reflekton përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të tregut dhe lehtësimin e qasjes në financim bankar.
Sipas tij vlen të theksohet posaçërisht cilësia shumë e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.1% në tetor 2019, e cila shënoi rënie të mëtutjeshme në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 2.7%.
"Me zhvillime të favorshme u karakterizua edhe sektori i fondeve pensionale. Vlera e aseteve të sektorit pensional në shtator 2019 arriti në 1.92 miliard euro, duke shënuar rritje vjetore prej 8.8%."
"Kthimi nga investimet e fondeve pensionale ishte mjaftë i kënaqshëm, ku gjatë periudhës janar-shtator u investuan 138 milionë euro, gjë që tregon për rritje të vlerës së kursimeve pensionale të qytetarëve", ka theksuar Mehmeti.
Një sektor tjetër i rëndësishëm i sistemit financiar sipas tij është sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve jobankare, i cili po vazhdon ta përshpejtojë ritmin e kreditimit.
Gjithsej vlera e kredive të këtij sektori në tetor 2019 arriti në 217.1 milion euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 22.2%.
Gjatë këtij viti sipas Mehmetit normat e interesit efektiv janë zvogëluar nga 23.1% në 20.3%. Sektori i sigurimeve vazhdoi të rrisë aktivitetin sigurues, si dhe kompensimin e dëmeve për të siguruarit.
"Gjithsej vlera e shkruar e primeve nga kompanitë e sigurimeve deri në shtator 2019 ishte 74 milionë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 7.1%. Në anën tjetër, vlera e dëmeve të paguara arriti në 37.9 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 7.3%."
"Raporti ndërmjet dëmeve të paguara dhe primeve të pranuara arriti në 51.2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur ky raport ishte 51.1%”, tha Guvernatori Mehmeti duke shtuar se BQK-ja po angazhohet në vazhdimësi për të siguruar trajtimin korrekt të dëmeve nga kompanitë e sigurimeve.
Guvernatori Mehmeti përmendi edhe vendimet e marra nga BQK-ja me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend.
“Me qëllim të sigurimit të stabilitetit financiar dhe si pasojë e mospërputhjes me kërkesat rregullative dhe mosrespektimit të masave përmirësuese të BQK-së, në vitin 2019, në rolin e saj prej rregullatorit dhe mbikëqyrësi të institucioneve financiare, BQK-ja i ka revokuar licencën kompanisë “Insig” SH.A., Dega Kosovë", ka pohuar Mehmeti.
Gjithashtu, me qëllim të mbrojtjes së palëve të dëmtuara prej të siguruarve nga autopërgjegjësia dhe krijimit të kushteve të nevojshme për zhvillim të qëndrueshëm të sektori të sigurimeve, BQK-ja ka përshtatur tarifat e Kategorisë I për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia ndaj palës së tretë të cilat ishin të pandryshuara që nga vitit 2001.
"Pak kohë më parë, siç edhe jeni të njoftuar, BQK-ja ka revokuar licencat për dy institucionet: IMF “Iute Credit Kosovo” Sh. A. dhe për IFJB “Monego”, të cilat gjatë viteve të operimit në tregun tonë, në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat për të operuar në Kosovë, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishin premtuar që do të sjellin."
"Lidhur me këtë proces, ne po vërejmë forma të ndryshme të presionit publik ndaj këtyre vendimeve, por dëshirojmë të ritheksojmë se BQK ka vepruar në përputhje të plotë me mandatin e saj ligjor dhe jemi të bindur se veprimi jonë është i drejtë, prandaj asnjë formë e presionit publik nuk mund të çojë në rishikimin e këtyre vendimeve."
"Ne e respektojmë plotësisht të drejtën e palëve për të ndjekur rrugët ligjore për të parashtruar ankesë ndaj këtyre vendimeve dhe kërkojmë nga palët e afektuara nga këto vendime që të ndjekin rrugët ligjore. Ne jemi të gatshëm që në çdo kohë të dëshmojmë dhe të sqarojmë bazën mbi të cilën kemi marrë këto vendime”, tha Guvernatori.
Ai tha se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vazhdon të veprojë në funksion të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar, duke siguruar infrastrukturën e nevojshme ligjore për të mbështetur zhvillimin e institucioneve financiare dhe në të njëjtën kohë duke u siguruar stabilitet financiar.
Harmonizimi i kornizës rregullatore me zhvillimet e fundit ndërkombëtare në këtë fushë, më konkretisht në Bashkimin Evropian, ka vazhduar të jetë prioritet i rëndësishëm i BQK-së edhe gjatë këtij viti, me ç’rast janë përpiluar rregullore të ndryshme të cilat avancojnë aspekte të ndryshme të rregullativës bankare e në veçanti atë të qeverisjes korporative të bankave.
Një nga fushat ku BQK-ja ka pasur një fokus të madh ka qenë edhe mbrojtja e konsumatorëve për të cilin ka pasur një angazhim të shtuar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve të shërbimeve financiare, duke i shërbyer kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjes së interesit të publikut.
Gjithashtu, këtë vit BQK ka avancuar programet e edukimit financiar dhe ka aplikuar masa korrektuese ndaj institucioneve financiare me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve. Kjo fushë do të vazhdoj të ketë prioritetin e lartë edhe në vitin e ardhshëm.
Guvernatori Mehmeti ka bërë të ditur se bazuar në vlerësime preliminare, rritja ekonomike për vitin 2019 pritet të jetë rreth 4.2%, rritje kjo e mbështetur kryesisht nga rritja e investimeve dhe përmirësimeve në eksportet neto.
Ritëm i ngjashëm i rritjes ekonomike, sipas parashikimeve të BQK-së, pritet edhe në vitin e ardhshëm.
Norma mesatare e inflacionit vjetor deri në nëntor 2019 është rritur për 2.8%, në krahasim me normën prej 0.9% në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja e normës së inflacionit gjatë këtij viti kryesisht është rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimit.
Po ashtu, BQK-ja ndau edhe çmimin “Ekonomist i Ri”, ku bazuar në vlerësimin e komisionit çmimi i parë iu nda Jeton Shatrit për studimin me titull: “Faktorët që Influencojnë Kënaqësinë e Punonjësve: Një Studim i Sektorit Privat Bankar të Kosovës”, ndërsa çmimi i dytë Blina Zhubit për studimin me titull: “Efektet e transaksioneve elektronike me fokus në luftimin e informalitetit: Trendet e realizimit të transaksioneve elektronike në Kosovë’’.