Lulzim Rafuna zgjedhjet kryesues i Bordit Menaxhues të CIF
Lubjanë, 22 nëntor - Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, është zgjedhur sot Kryetar i Bordit Menaxhues të Forumit të Investimeve të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor (Western Balkans 6 Chamber Investment Forum - WB6 CIF).
Duke e marr detyrën e re, Kryetari Rafuna u shpreh falënderues për besimin e dhënë dhe u zotua për përkrahje për eliminimin e mëtutjeshëm të barrierave mes bizneseve.
“Faleminderit për besimin e dhënë, për të udhëhequr një mekanizëm kaq të rëndësishëm. I rëndësishëm sepse qëllim kryesor e ka përkrahjen e bizneseve në të bërit biznes në rajon, më shume fitime dhe rritje të punësimit”, u shpreh Kryetari Rafuna në cilësinë e Kryesuesit të ri të Bordit Menaxhues.
“Do të vazhdojmë, akoma më shumë, që të përkrahim bizneset duke eliminuar barrierat administrative dhe jo administrative. Nuk do te jete e lehte, po nuk është e pamundur”, shtoi kryetari Rafuna.
Kjo është hera e parë që Kosova merr kryesimin e Bordit Menaxhues të CIF.
Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor 6 është një nismë e dhomave nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, për një platformë bashkëpunimi, e ndërmarrë në vitin 2017, e që synon të ofrojë një zë të përbashkët të komunitetit të biznesit në rajon si dhe për të lehtësuar kontaktet ndër-biznesore dhe për të promovuar rajonin si një destinacion investimi.