Luftimi i ekonomisë joformale të mbetet prioritet në agjendën e qeverisë
Prishtinë, 13 shkurt - Institucionet publike nevojitet të fuqizojnë partneritetin me komunitetin e bizneseve drejt luftimit të ekonomisë joformale dhe evazionit fiskal, duke synuar krijimin e një mjedisi me trajtim të barabartë dhe sa më të mirë afarist në vend.
Kjo u konkludua gjatë një tryeze të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe kompania Ernst&Young, ku përfaqësues të bizneseve patën mundësinë të diskutojnë me Ministrin e Financave dhe Drejtorin e Përgjithshëm të ATK-së mbi praktikat jo të ndershme ekonomike.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, gjatë këtij takimi theksoi se qeveria duhet të përkrahë Administratën Tatimore në fuqizimin e kapaciteteve inspektuese, duke u siguruar që të gjitha bizneset deklarojnë tatimet e tyre në mënyrë të duhur.
Ai gjithashtu foli mbi rëndësinë e luftimit të ekonomisë joformale, duke e përmendur se edhe në dokumentin e Planit të Rritjes së Odës Amerikane për qeverinë e re, Oda ka përfshirë luftimin e kësaj ekonomie si njërin prej prioriteteve që duhet të zë vend të lartë në agjendën e qeverisë të re.
Ndërsa, Dairida Metalia, Menaxhere e Taksave në Ernst&Young, tha se prezenca e ekonomisë joformale në fusha të ndryshme të aktivitetit ekonomik, e cila sipas statistikave arrin në mbi 30% të BPV-së, është një ndër sfidat kryesore me të cilat përballet Kosova.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, potencoi se partnerë kyç të institucioneve publike në luftimin e ekonomisë joformale janë komuniteti i bizneseve dhe konsumatorët.
Sipas tij, sa i përket kësaj forme të ekonomisë, kontribut bukur të mirë në rritjen e së njëjtës ka dhënë sektori publik, duke e konsideruar ministrinë të cilën ai tash e drejton si ndër akterët më përgjegjës.
Ministri u shpreh se ekonomia joformale ushqehet përmes përpjekjeve jo të mjaftueshme për të siguruar formalizim të ekonomisë, gjersa hapi i parë që garanton suksesin në luftimin e saj është pohimi se në të kaluarën kemi dështuar, dhe rritja e intensitetit të përpjekjeve për raportim sa më të madh në ATK.
Bislimi konsideroi se problem në vete është edhe matja e vëllimit të ekonomisë joformale, ku përmendi se është qasje e gabuar të etiketohen vetëm disa sektorë relativisht më të ndjeshëm, për shkak se joformaliteti është i dëmshëm pavarësisht në çfarë sektori shfaqet.
Drejtori i Përgjitshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, tha se tashmë është krijuar një traditë e zhvillimit të bashkëpunimit mes institucionit që ai përfaqëson dhe komunitetit të bizneseve, i cili padyshim po sjell ndryshime pozitive
. Murtezaj shtoi se gjatë 20 viteve të funksionimit të ATK-së si institucion, por edhe të zhvillimit të bizneseve, konsideron se ka avancim të theksuar në të dyja palët, si nga ana e bizneseve në rritjen e vetëbesimit në ATK për të deklaruar dhe paguar detyrimet tatimore, ashtu edhe në stafin e ATK-së i cili në krahasim me një të kaluar me profesionalizëm të vobekët, po shkon gjithnjë duke u zhvilluar dhe vetëdijësuar.
Sipas tij rezultimi i një hendeku tatimor kaq të madh është i papranueshëm për ATK-në si institucion, pavarësisht se është në nivel më të mirë në krahasim me disa vende të rajonit.
Murtezaj theksoi se Administrata Tatimore e Kosovës ka përgjegjësi ligjore për zvogëlimin në minimum të nivelit të evazionit fiskal, dhe se në bashkëpunim të ngushtë me bizneset synon të gjejë çelësin e këtij problemi.
Në diskutimin e hapur me biznese, u fol mes tjerash edhe për nevojën për promovim të transaksioneve elektronike në vend të atyre me para të gatshme, duke e përkrahur këtë edhe me infrastrukturë ligjore adekuate.