Luftimi i ekonomisë joformale ndikon në të hyrat e doganës
Prishtinë, 29 shkurt - Në Universitetin Kadri Zeka në kuadër të programit Guest Speaker para stafit akademik, studentëve dhe pjesëmarrësve tjerë ka mbajtur ligjëratë me temën: \"Reformat në Doganën e Kosovës dhe tejkalimi i parashikimeve të mbledhjes së të hyrave shtetërore\", Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna.
Ai i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, fillimisht është pritur nga Shpresë Qamili prorektore për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve,Vaxhid Sadriu sekretar i përgjithshëm dhe Flamur Hyseni u.d. dekan në Fakultetin Juridik njëherësh koordinator i programit Guest Speaker.
Prorektorja Qamili pasi e ka falënderuar Drejtorin Rafuna për vizitën e ka njoftuar atë për funksionimin dhe aktivitetet e Universitetit Kadri Zeka.
Ndërkaq në ligjëratën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna ka folur lidhur me progresin dhe të arritur e Doganës së Kosovës, me theks të veçantë në reformat e bëra në administratën doganore të cilat siç ka thënë ai, deri më sot kanë rezultuar me më tepër të hyra krahasuar me vitet e kaluara.
Rafuna ka përmendur edhe reformat e bëra në lehtësimin e qarkullimit të tregtisë legjitime, luftimin e ekonomisë joformale përkatësisht evazioni fiskal, ku ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e performancës përmes rritjes së të hyrave, si dhe për disa projekte të cilat janë implementuar së fundi në Doganën e Kosovës dhe të cilat kanë për qëllim modernizimin e administratës dhe arritjen e standardeve të pranueshme në BE.
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, sfidë për institucionin që ai drejton është implementimi i marrëveshjes së stabilizim-asocimit dhe projekti i Qeverisë së Kosovës për integrimin e Administratës Tatimore të Kosovës në Doganë.
Ndërkohë pas ligjëratës drejtori Lulzim Rafuna u është përgjigjur interesimeve të pjesëmarrësve rreth çështjeve që kanë të bëjnë më Doganën e Kosovës.