16 Nëntor 2024

Luftimi i ekonomisë joformale me rezultatet inkurajuese

Prishtinë, 28 gusht - Në Ministrinë e Financave sot u mbajt takimi i Grupit Punues Qeveritar për Strategjinë kombëtare për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare (2014-2018).

Në këtë takim, i cili u kryesua nga zëvendësministri i Ministrisë së Financave Agim Krasniqi, u diskutua për Raportin vjetor 2014, Strategjinë dhe planin e veprimit të rishikuar.

Raporti vjetor 03/2014 për Parandalimin e Ekonomisë Joformale dhe Krimeve Financiare në Kosovë mbulon aktivitetet e zhvilluara dhe rezultatet e arritura gjatë periudhës kohore 1.1.-31.12.2014, dhe poashtu përmban informata të vitit 2013 për të formuar një bazament për zbatim të Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit 2014-2018.

Qëllimi i Raportit vjetor të gjendjes 03/2014 është gjithashtu të sigurojë një analizë të ekonomisë joformale dhe pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve të tjera financiare brenda Kosovës.

Nga ana tjetër, i njëjti përfshin informata në lidhje me rezultatet operative të organeve administrative, zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit të cilat janë përgjegjëse për masat parandaluese në luftën kundër këtyre dukurive të dëmshme.

Për më tepër, nëpërmjet këtij raporti synohet ofrimi i informatave Qeverisë dhe kontribuuesve të tjerë në identifikimin e trendëve të reja të krimit dhe fenomeneve, si dhe praktikave të mira sa i përket parandalimit të ekonomisë joformale dhe krimit financiar.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar me 28.01.2014 Strategjinë kombëtare dhe Planin e veprimit të Republikës së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare 2014-2018 .

Këto dokumente të politikave përbëjnë një mekanizëm të menaxhimit të rrezikut kombëtar nga fenomenet e dëmshme të trajtuara nga kjo strategji.

Sipas, zëvendësministrit Agim Krasniqi, rezultatet e deritanishme të paraqitura në këtë raport janë inkurajuese për faktin se për herë të parë kemi një proces të kompletuar që fillon nga faza e inteligjencës e deri tek faza e zbatimit të ligjit.

“Prandaj, një përkushtim i shtuar dhe bashkëpunim i vazhdueshëm nga të gjithë akterët është mëse i nevojshëm dhe esencial për të pasur një implementim të suksesshëm të Strategjisë, e cila do të dërgonte sinjale pozitive tek investitorët ndërkombëtarë dhe donatorët, se Kosova është vend atraktiv dhe konkurrues për investime” tha Zëvendësministri Krasniqi.

Ai gjithashtu tha se  “Ekonomia jo formale dhe krimet ekonomike janë faktor kompleks që preokupojnë të gjitha vendet në rajon dhe më gjerë. Niveli i lartë i ekonomisë joformale është sfidë për financat publike,  dhe është duke dëmtuar konkurrencën e drejtë në tregun vendor. Për më shumë, punësimi jo-formal dhe shmangia sistematike nga pagesat e kontributeve për të punësuarit janë duke dëmtuar në masë të madhe interesat e punëtorëve”.

“Siç edhe jeni në dijeni, gjatë këtij viti Ministria e Financave ka bërë ndryshime në sistemin tatimor me qëllim të stimulimit të investimeve dhe aktivitetin në sektorin privat. Për të arritur qëllimin e tyre në krijimin e lehtësirave për sektorin privat, këto ndryshime duhet të përcillen  me hapa konkret në luftimin dhe parandalimin e ekonomisë jo-formale dhe krimeve financiare.\"

\"Agjencitë përgjegjëse për grumbullimin e të hyrave tatimore kanë vazhduar me përforcimin e aktiviteteve të tyre duke hartuar plane të risqeve me qëllim të identifikimit të fushave ku kemi shmangie nga obligimet tatimore. Rezultatet e aktiviteteve në grumbullimin e të hyrave tatimore kanë qenë inkurajuese. Kemi rritje që nga vitit 2008 kur të hyrat tatimore ishin vetëm 805 milionë euro,  ndërsa në vitin 2014 arritën në 1,141 milionë euro.  Deri në qershor 2015 këto të hyra shënuan rritje me rreth 7% në krahasim me periudhën 2014. ” ka shtuar zëvendësministri Agim Krasniqi .

Grupi Punues Qeveritar udhëhiqet nga Ministri i Financave dhe anëtarët tjerë në nivel të udhëheqësve janë:  Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Kryeprokurori i Shtetit, Banka Qendrore e Kosovës, Gjykata Supreme, Agjencia Kundër Korrupsion si dhe Njësia e Inteligjencës Financiare. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)