Lufta ndaj informalitetit pritet të ashpërsohet
Prishtinë, 18 prill - Qendra për Hulumtime Strategjike e Sociale STRAS , të premten ka organizuar konferencën për ekonominë joformale - evazionin fiskal, ku është prezentuar edhe një hulumtim në lidhje me shkallën e evazionit fiskal dhe strategjinë për luftimin e tij.
Studimi i organizatës STRAS , konstaton, se megjithë shkallën e lartë të ekonomisë joformale, konkretisht evazionin fiskal, institucionet e thirura për të luftuar këtë fenomen, Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë duke e kryer punën e tyre në zvogëlimin e këtij fenomeni.
Konstatimi mbështetet në rritjen e të hyrve doganore dhe tatimore gjatë tre muajve të parë të këtij viti, prej më shumë se 20 milionë euro, duke e krahasuar me një vit më parë dhe me të njejtën sasi të mallrave të importuar.
Gjithashtu, në këtë konstatim është arritur duke krahasuar të hyrat në vitin 2008 dhe 5 vjet më vonë në 2013, ku të hyrat pothuajse janë dyfishuar.
Sipas statistikave dhe hulumtimeve që kanë bërë organizata të ndryshme, shkalla e informaliteti në vend llogaritet diku rreth 34 , 75 për qind, shifër e përafërt me vendet në regjion. Në vendet e Bashkimit Europian, evazioni fiskal llogaritet rreth 18 për qind , tha drejtori i STRAS-it , Ibrahim Rexhepi, duke shtuar se për Kosovën ka studime që thonë se informaliteti kalon edhe mbi 40 për qind.
Ministri i Financave, Besim Beqaj, duke folur për luftimin e ekonomisë joformale dhe evazionit fiskal, përgëzoi dy institucionet , Doganat dhe Administratën Tatimore.
Vetëm nga një ndryshim në sistemin e zhdoganimit të mallrave, nga kufiri në qendër, ku është eliminuar mundësia e kontakteve të bizneseve me doganierët, është arritur që të inkasohen rreth 20 milionë euro më shumë, tha ministri i Financave, Besim Beqaj.
Sistemi i implementuar nga dogana, lejon zhdoganimin e mallrave vetëm në qendër, - Prishtinë, ndërsa seleksionimi i doganierëve bëhet automatikisht nga një sistem kompjuterik. Vetëm në momentin e fundit doganieri njoftohet se cilën maune do të zhdoganojë.
Sipas ministrit të Financave, Besim Beqaj, evazioni fiskal i sjellë dëm jo vetëm buxhetit të Kosovës, por edhe vet qytetarëve.
Për këtë qëllim, ai saktësoi se janë duke u ndërmarrë reforma jo vetëm në agjencitë që mbledhin para për buxhetin, por edhe ato që kujdesen për zbatimin e ligjit. Ai paralajmëroi se Task-Forca e krijuar nga Policia, Doganat dhe Administrata Tatimore, do të ashpërsojnë luftën ndaj atyre që dëmtojnë shtetin përmes fshehjes së tatimeve dhe evazionit fiskal, por nga kjo gjë bizneset e rregullta nuk duhet të kenë frikë. Task Force do të vizitojë vetëm bizneset e parregullta dhe këto biznese duhet të kenë frikë.
Ekonomia joformale është ende e madhe. Është utopike të themi që ajo do të zhduket brenda 6 muajsh apo një viti. Është një betejë që vazhdon dhe duhet të fitohet bashkërisht. Ndaj ju ftojmë që të bashkëpunojmë me qëllim zvogëlimin sa më të madh të ekonomisë joformale, tha tutje ministri i Financave, Besim Beqaj, duke shtuar se në këtë segment përfshihet edhe reformimi i ligjit që parasheh që secili konsumatorë duhet ta ketë kuponin fiskale.
Sipas tij, ministria e Financave dhe Qeveria, ka futur në programin afatmesëm të shpenzimeve edhe financimin e shoqërisë civile për projekte të përbashkëta, qëllimi i të cilave do të jetë ndihma e ndërsjelltë për zbatimin e ligjit dhe forcimin e shtetit.
Kemi arritur të kemi një sistem të centralizuar të vlerësimit në Dogana dhe falë bashkëpunimit me ministrinë së Financave. Na presin sfida të shumta në luftën ndaj këtyre fenomenve. Mbështesim Task Forcen e krijuar nga tre instititucionet, tha Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Premton Hyseni nga Instituti Riinvest, ka cituar studimin e bërë nga instituti që nxjerr se bizneset nuk raportojnë mesatarisht rreth 34 përqind të shitjeve që realizojnë. Ky studim është bërë bazuar në anketën që është bërë ne mbi 600 biznese.
Pas fjalës së panelistëve, ka vijuar debati mes të pranishmëve si Drejtori i Administratës Tatimore, Banka Qëndrore, etj etj.
Qeveria e Kosovës duhet të fillojë të fiskalizojë të gjithë akterët.Duhet të krijohet barabarësia në trajtimin e bizneseve. Dhe kërkesa për mbështetje nga qytetarët do të gjejë mbështetje. Kërkojmë që të bisedohet me të gjitha palët për këtë, tha bisnesmeni Ramiz Kelmendi.